“Pastrimi” i reagon Komunës së Podujevës: Tarifat s’kanë ndryshuar

0%

Shpërndaje në: Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së rënduar me mbeturinat. Bulliqi akuzoi “Pastrimin” për keqmenaxhim.

“Pastrimi” ka thënë se Njësia Operative e Podujevës nuk ka hyrë në vështirësi financiare brenda natës, por ka kohë që punon me bilanc negativ. Ka thënë se arsyeja është se në Komunën e Podujevës nuk kanë ndryshuar tarifat për grumbullimin e mbeturinave që nga viti 2008.

“Përkundër rritjes enorme të kostove të operimit, karburanteve, pjesëve rezervë, shpenzimeve për deponi, mirëmbajtjes, pagave dhe të gjitha shpenzimeve të tjera, tarifa vazhdon të jetë vetëm 4.70 euro me TVSH (rreth 3.8 euro neto)”, ka shkruar Pastrimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Pastrimi” ka thënë se asnjë ndërmarrje publike apo private nuk mund të funksionojë normalisht kur për gati dy dekada rriten kostot e të hyrat mbeten të njëjta. Ka thënë se Njësia e Podujevës asnjëherë s’ka arritur t’i mbulojë pagat e punëtorëve dhe shpenzimet operative vetëm nga të hyrat dhe se humbjet gjithmonë i ka mbuluar Prishtina.

“Pastrimi” ka akuzuar po ashtu Komunën e Podujevës se nuk i ka përmbushur obligimet financiare ndaj ndërmarrjes për investimet e realizuara, përfshirë objektin e ri dhe kjo ka rënduar situatën. E po ashtu ka thënë se i janë marrë edhe konsumatorët.

Edhe Arbëri 18 min. më parë Pacolli: Dyshime për tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike, dorëzuam në Prokurori 3 lëndë “Sot dëgjojmë nga Komuna se ndërmarrja është subvencionuar, sa është vlera totale e subvencionimit? Po shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Çfarë vlere kanë subvencionet kur në anën tjetër i merren ndërmarrjes klientët, inkasimi dhe mundësia për të gjeneruar të hyra?

Është shqetësuese se po krijohet një krizë, e më pas, nën petkun e emergjencës, po hapet rruga për kontrata emergjente, angazhimin e operatorëve privatë dhe financimin e tyre me mjete publike. Ky nuk është një fenomen i ri. Fatkeqësisht, skenarë të ngjashëm janë parë edhe në komuna të tjera aksionare në KRM Pastrimi.

KRM “Pastrimi” nuk do të lejojë që paaftësia për të adresuar problemet shumëvjeçare financiare të fshihet pas akuzave ndaj një ndërmarrjeje publike. Po ashtu, nuk do të lejojmë që punëtorët tanë të paguajnë çmimin e vendimeve politike”, thuhet në reagim. “Pastrimi” ka thënë se do të shfrytëzohen gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur ndërmarrjen, punëtorët dhe interesin publik.

“Çdo vendim që cenon të drejtat e KRM “Pastrimi” dhe rrezikon ekzistencën e Njësisë Operative në Podujevë do të kundërshtohet në institucionet kompetente. KRM “Pastrimi” nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike të askujt. Ne u shërbejmë qytetarëve, jo interesave politike.

Në fund, shprehim shqetësimin e thellë sepse veprimet e fundit të Komunës së Podujevës rrezikojnë drejtpërdrejt vendet e punës dhe ekzistencën e Njësisë Operative në Podujevë. Nëse vazhdohet me këtë qasje, dhjetëra punëtorë dhe familjet e tyre do të mbeten pa PUNË dhe pa PAGA që ua garanton puna e tyre. Qytetarët meritojnë të vërtetën.

Problemet e grumbulluara ndër vite nuk zgjidhen duke kërkuar fajtorë, por duke marrë vendime të drejta, të ligjshme dhe të qëndrueshme për të ardhmen e shërbimit publik. Në ditët në vazhdim do të publikojmë çdo raport financiar të detajuar ku përfshihen të hyrat, shpenzimet operative, si dhe pagat apo shpenzime të tjera!” – thuhet në reagim.

Bulliqi ka thënë se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në pjesën e përgjegjësisë së saj, më herët ka kërkuar që të lirohet nga shërbimi në fshatra dhe kjo përgjegjësi ka kaluar të Kompania private “Natyra”.

Bulliqi ka thënë se në vazhdimësi e ka ndihmuar KRM “Pastrimi” edhe me subvencione, në mënyrë që t’ia lehtësojë operimin dhe funksionimin normal, por pa sukses.

Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim obligohet të hartojë dhe zbatojë planin operacional emergjent për organizimin dhe koordinimin e të gjitha masave emergjente për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave si dhe inicimin e procedurës së përshpejtuar të prokurimit për sigurimin e 3 kamionëve me qira për bartjen e mbeturinave, duke përfshirë edhe 3 vozitës, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.

Edhe Arbëri 39 min. më parë Kuvendi njofton për seancën e nesërme, ky është rendi i ditës E kompania “Natyra SHPK” ka bërë të ditur se është duke vazhduar pa ndërprerje pastrimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e Komunës së Podujevës, duke theksuar se ka trashëguar sasi të mëdha mbeturinash nga operatori paraprak.

Sipas një njoftimi të kompanisë, me vendimin e 24 qershorit 2026 ajo mori në operim 22 fshatra të Podujevës, ndërsa menjëherë nisi ofrimin e shërbimit, lidhjen e kontratave me qytetarët dhe grumbullimin e rregullt të mbeturinave.

Kompania njofton se më 17 korrik ka marrë edhe vendimin e Komunës së Podujevës për grumbullimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e komunës, ndërsa ekipet kanë dalë në terren që nga 18 korriku. Sipas “Natyra SHPK”, gjatë marrjes së shërbimit është konstatuar një gjendje e rënduar në shumë fshatra, ku kishin mbetur sasi të mëdha mbeturinash nga operatori i mëparshëm.

“Pavarësisht kësaj gjendjeje, të gjitha ekipet tona janë të angazhuara çdo ditë, me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në largimin e mbeturinave dhe normalizimin e gjendjes në çdo fshat të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftim.

Edhe Arbëri 1 o. më parë Abdixhiku për takim të mundshëm sot me Kurtin: S’ka asgjë të re Kompania thekson se për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave nuk është e mundur që i gjithë territori të pastrohet brenda një periudhe të shkurtër, por procesi i pastrimit dhe lidhja e kontratave me qytetarët po vazhdojnë paralelisht.

“Natyra SHPK” ka sqaruar gjithashtu se gjendja emergjente e shpallur sot nga Komuna e Podujevës i referohet qytetit dhe jo zonës ku ajo ofron shërbimin.

Burimi: Koha