Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raportohet se janë takuar sërish të mërkurën. Sipas raportimit të Klan Kosovës, dy liderët aktualisht janë duke zhvilluar një takim.
Ky zhvillim vjen një ditë pas takimit mes delegacioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ku palët u shprehën optimiste për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për krijimin e institucioneve të reja. Pas takimit të djeshëm, përfaqësuesit e të dy partive deklaruan se do të vazhdojnë diskutimet në këtë drejtim.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të partisë, kishte deklaruar se nuk kishte ndonjë zhvillim të ri sa i përket një takimi të mundshëm me Kurtin. I pyetur nga mediat nëse pritej një takim me liderin e LVV-së, Abdixhiku ishte përgjigjur: “Ju lutem, dje dhashë konferencë. Më lejoni pak kohë.
Nuk ka asgjë tjetër”, ka raportuar Klan Kosova. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
