Historia e kombeve nuk shkruhet vetëm në fushat e betejës. Ajo shkruhet edhe në tryezat diplomatike, aty ku vendoset fati i popujve. Shqipëria e përjetoi këtë të vërtetë në fund të Luftës së Parë Botërore, kur ekzistenca e saj si shtet ishte vënë në pikëpyetje.
Pikërisht në atë moment kritik, në mbrojtje të shqiptarëve u ngrit një zë i fuqishëm nga përtej Atlantikut, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson. Po të mos ishte vendosmëria e Wilsonit për të kundërshtuar marrëveshjet e fshehta të fuqive evropiane, historia e Shqipërisë do të kishte marrë një rrjedhë krejt tjetër.
Nuk është e tepërt të thuhet se ai u bë mburoja diplomatike e shtetit shqiptar në çastin kur Evropa po diskutonte ndarjen e tij. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, fituesit u mblodhën në Konferencën e Paqes në Paris për të rishkruar hartën politike të Evropës.
Fatkeqësisht, në këto kalkulime nuk munguan planet për copëtimin e Shqipërisë, të mbështetura mbi Traktatin sekret të Londrës të vitit 1915. Interesat e fuqive të mëdha rrezikonin ta shndërronin Shqipërinë në një kujtim historik, ndërsa territoret e saj do të ndaheshin mes fqinjëve. Pikërisht këtu nisi beteja diplomatike e Presidentit Wilson.
Në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare dominohej nga kompromiset e fshehta dhe politika e forcës, Wilson solli një filozofi të re politike. Me programin e tij të njohur të Katërmbëdhjetë Pikave, ai vendosi në qendër të rendit të ri ndërkombëtar parimin e vetëvendosjes së popujve, diplomacinë e hapur dhe respektimin e sovranitetit të shteteve. Këto nuk ishin vetëm parime teorike.
Në rastin e Shqipërisë, ato u shndërruan në mburojë konkrete kundër planeve për copëtim. Qëndrimi i Wilsonit nuk ishte një favor ndaj shqiptarëve. Ishte mbrojtje e një parimi universal, askush nuk kishte të drejtë të vendoste për fatin e një kombi pa vullnetin e tij.
Ky ishte një mesazh që sfidonte logjikën tradicionale të diplomacisë evropiane dhe njëherazi afirmonte një vizion të ri për marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e rëndësishme të kujtojmë se Shqipëria e asaj kohe ishte një shtet i brishtë, me institucione ende të pakonsoliduara dhe pa një fuqi ushtarake apo ekonomike që do ta mbronte.
Forca e saj ishte vetëm e drejta historike dhe mbështetja morale e disa personaliteteve vizionare. Në mesin e tyre, Woodrow Wilson zë vendin më të rëndësishëm. Kontribut të veçantë dha edhe diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, Fan S.
Noli dhe patriotë të tjerë zhvilluan një veprimtari të pandërprerë për ta sensibilizuar administratën amerikane mbi rrezikun që i kanosej Shqipërisë. Ky bashkëpunim ndërmjet diplomacisë amerikane dhe diasporës shqiptare u shndërrua në një model të suksesit diplomatik.
Falë këtij qëndrimi, Shqipëria mbeti pjesë e hartës politike të Evropës dhe më pas arriti të konsolidonte shtetësinë e saj përmes Kongresit të Lushnjës dhe pranimit në Lidhjen e Kombeve. Këto zhvillime nuk do të ishin të mundshme pa pengimin e planeve për copëtimin e vendit. Për shqiptarët, Woodrow Wilson nuk është vetëm një figurë historike amerikane.
Ai është simbol i miqësisë shqiptaro-amerikane, simbol i drejtësisë ndërkombëtare dhe dëshmi se edhe një komb i vogël mund të mbijetojë kur parimet mbizotërojnë mbi interesat politike. Edhe sot, në një botë të trazuar nga luftërat, konfliktet dhe rivalitetet gjeopolitike, mesazhi i Wilsonit mbetet aktual.
Respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe së drejtës së popujve për të vendosur për fatin e tyre janë themelet mbi të cilat duhet të ndërtohet rendi ndërkombëtar. Historia e Shqipërisë është një dëshmi e gjallë se shkelja e këtyre parimeve prodhon padrejtësi, ndërsa mbrojtja e tyre garanton paqe dhe stabilitet. Shqiptarët nuk e kanë harruar kurrë Presidentin Woodrow Wilson.
Emri i tij vazhdon të nderohet sepse ai nuk mbrojti vetëm Shqipërinë; ai mbrojti të drejtën. Dhe kur historia shkruan për ata që kanë bërë ndryshim, emri i Woodrow Wilsonit mbetet ndër figurat më të ndritura të miqve të përhershëm të kombit shqiptar.
