Tri histori me lopë

0%

Po i shkruaj këto tri histori me lopë për një arsye paksa personale, por edhe shoqërore. Para dy ditësh, në Fier, u nda nga jeta një njeri paksa i veçantë. Ai ishte shofer me profesion dhe bejtexhi i lindur. Unë, ngaqë e njihja mirë, e kam quajtur “Njeriu që të hiqte stresin”. I tillë ka qenë dhe i tillë ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur Sotiraq Plakën, ose Raqi Plakën.

Sikur të rrije me të çdo ditë, jo vetëm që nuk do të mërziteshe, por, përkundrazi, do ta ndjeje veten të çlodhur nga bejtet që dukej sikur i nxirrte nga xhepi. Kjo histori me lopë nis me Raqin dhe përfundon me dy histori të tjera. 1. Raqi Plaka ishte shofer në Ndërmarrjen e Grumbullimit të Qumështit në Fier. Një të diel nuk e ndezi fare makinën.

Alarmi u dha menjëherë dhe, të hënën, u thirr në raport te drejtori. — Ore faqezi, si nuk vajte të tërhiqje qumështin dje, që ishte e diel? — e pyeti drejtori. Dhe Raqi, pa e prishur terezinë, iu përgjigj: — Pse, nuk e kanë pushim lopët të dielën?! 2. Një fshatar nga Gorishova (fshat në zonën e Cakranit, në Mallakastër) u nis për mik në Selenicë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me Selenicën e ndante lumi dhe, ngaqë ishte mesi i korrikut, uji ishte pakësuar aq shumë, sa kalohej në këmbë. Kaloi lumin dhe, nga mbrëmja, mbërriti te miku. Miku ishte rrobaqepës dhe kishte gjashtë kalamaj. Duke ia ditur hallin, i tha të zonjës së shtëpisë: — Mos u mundo të gatuash gjë për mua, se jam me “perhiz” dhe, në darkë, dua vetëm një përshesh me kos.

Rrobaqepësi ia ktheu: — Ku kemi kos ne, kur një shishe qumësht e marrim në dyqan? — As mos u shqetësoni! Nuk dua gjë tjetër. Kaloi natën aty dhe, në mëngjes, u kthye në fshat. Në kasolle kishte dy lopë. E zgjidhi njërën nga grazhdi, e mori për litari dhe u nis përsëri për te miku në Selenicë. — Lopën e keni tuajën derisa të ketë qumësht. Ama, kur të vij unë në darkë, dua përshesh me kos.

La lopën dhe u kthye në shtëpi, i gëzuar që po ndihmonte mikun. “E mora unë lopën, i gëzuar,” — tregon djali i madh i familjes (sot është 83 vjeç dhe ka qenë mjek patolog), “dhe e çova për kullotë. Lopa kulloste për qejfin e saj, ndërsa mua më kishte zënë gjumi. Kur u ngop, u nis andej nga kishte ardhur. Kafshët kanë instinkt dhe i mbajnë mend rrugët.

Lopa kaloi lumin dhe u kthye te kasollja e vet.” — Aha! — tha fshatari. — Qenka e thënë; janë të pazotë për të mbajtur lopë. Por historia nuk mbaron me kaq. Një ditë, fshatari, bashkë me të shoqen, zbritën në Fier dhe do të niseshin me tren për te një mik në Tiranë. Hipën në një nga vagonët dhe, para se treni të nisej, ai zbriti për të shkuar në WC. Sapo u fut në banjë, treni u nis.

Nuk kishte rrugë tjetër, veçse të priste trenin tjetër, pas gjashtë orësh. Sado qejfprishur ishte, nuk i mungonte humori. — Gruaja ime, po i ngjau lopës, ka për ta gjetur shtëpinë e mikut. Kur mbërriti në stacionin e Tiranës, pa të shoqen që e priste e shqetësuar. — Eh, — tha me vete, — lopa ime qenka ku e ku më e mençur se gruaja. 3.

Kjo histori e tretë është pak më e trishtë, por, sidoqoftë, ia vlen të tregohet. Aty nga mesi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, në Tepelenë ndodhi një ngjarje tragjike. Një çift, të dy komunistë, krijuan një marrëdhënie intime, ndonëse ishin të martuar me partnerë të tjerë. Nuk e përballuan trysninë e thashethemeve dhe, për fat të keq, vranë veten.

Njollosja e moralit proletar tronditi jo vetëm kupolën e rrethit, por edhe më lart, deri te Komiteti Qendror i Partisë. Vetë Enver Hoxha dërgoi një letër, e cila, si emërues të përbashkët, kishte sloganin që u shkrua me gërma kapitale: “Kush njollos nderin e nënave, grave e motrave tona, të ngrihemi të gjithë e t’u këputim kokat!” Qëndrim radikal, që nuk linte vend për ekuivoke.

Mirëpo, sa më shumë shtrëngoheshin masat për të ruajtur të pastër moralin proletar, aq më shumë ai bëhej pis, sidomos nga kuadro që kishin pushtet ose ishin komunistë. Fshati im, Mbrostar-Ura, në Fier, ishte sektor bujqësor e blegtoral i Ndërmarrjes Bujqësore “Çlirimi”. Sektori ishte i madh dhe kishte tri stalla lopësh laramane të zeza, të blera në Holandë.

Në këto stalla punonin vajza e gra. Veç tyre kishte tri zooteknikë dhe një veteriner. Punohej me disiplinë të lartë. Pikërisht kur qarkulloi letra e Enver Hoxhës, një komunist bëri një proçkë. Flirtonte haptazi dhe ky akt i turpshëm i vrau sytë zooteknikut të ndershëm, Vasil S… Vasili kishte dhjetë vjet që punonte aty, mes grave e vajzave, dhe sillej si zotëri i vërtetë.

Duke mos e duruar dot atë që pa, shkoi dhe e raportoi në drejtori. Drejtori i ndërmarrjes dhe sekretari i byrosë së Partisë nuk e përtypnin dot “pisllëkun” e atij kuadri, aq më tepër që ai ishte komunist dhe kishte krahë të ngrohtë. E thirrën përsëri Vasilin dhe i thanë: — Je marrë me thashetheme.

Ajo ishte një lopë që i hipi një lope dhe ty të është dukur si shoku Iks! — Aha! — tha Vasili. — Unë komunist nuk jam, por të zezës nuk i them të bardhë dhe të bardhës nuk i them të zezë. Jo vetëm që e dëbuan nga zyra, por të nesërmen, në mes të sektorit, u var një karikaturë me diçiturën: “Vasil S… thashethemexhi.” Për “edukim”, e transferuan 30 kilometra larg, në sektorin X…

Ja, kështu e pësoi njeriu i ndershëm, Vasil S… Vasil S… është sot 85 vjeç dhe, për etikë, nuk ia shkrova mbiemrin.

Burimi: Bota Sot