Normat e vaksinimit të fëmijëve në Britani kanë rënë ndjeshëm gjatë 15 vjetëve të fundit, por sipas ekspertëve shkaku kryesor nuk janë teoritë kundër vaksinave në rrjetet sociale, ka shkruar BBC. Sipas tyre, arsyeja kryesore është se prindërit kanë gjithnjë e më pak kontakte të drejtpërdrejta me mjekët dhe infermierët, ndërsa qasja në shërbimet shëndetësore është bërë më e vështirë.
Një shembull është Lily, një nënë e re që nuk arriti ta vaksinonte në kohë djalin e saj 20-javësh, Grayson. Pas një lindjeje të vështirë dhe depresionit pas lindjes, ajo e kishte të pamundur të udhëtonte deri te ambulanca. “Kisha kaluar net pa gjumë dhe mezi dilja nga shtëpia. Nuk doja të udhëtoja deri në një qytet tjetër”, ka thënë ajo.
Më vonë, Lily zbuloi një pikë vaksinimi të hapur në një qendër tregtare në Keighley, ku shërbimi ishte shumë më i lehtë për t’u arritur. “Duhet t’i çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit. Sa më e lehtë të jetë qasja, aq më shumë prindër i vaksinojnë fëmijët”, ka thënë koordinatorja e projektit Flora Jennings.
Në këtë pikë edhe mund të bëhet peshimi i foshnjave, ka kënd lojërash dhe ambiente miqësore, duke bërë që shumë prindër të vendosin t’i vaksinojnë fëmijët gjatë vizitës. Sipas ekspertëve, shumica e prindërve nuk janë kundër vaksinave, por shpesh i shtyjnë ato për shkak të mungesës së kohës, vështirësive praktike ose mungesës së kujtesës.
Në Angli, numri i vizitave në shtëpi nga infermierët dhe mamitë është ulur me rreth 45 për qind gjatë dekadës së fundit, ndërsa shumë familje nuk takojnë më vazhdimisht të njëjtin mjek familjar. “Nëse i shohim vetëm shifrat, rënia nuk duket dramatike.
Por krahasuar me vendet e tjera evropiane, Britania është ndër më të dobëtat për vaksinimin e fëmijëve në vitet e para të jetës”, ka thënë profesori Dan Hungerford nga Universiteti i Liverpoolit. Dezinformimi ekziston, por nuk është arsyeja kryesore Edhe pse postimet kundër vaksinave në rrjetet sociale ndikojnë te disa prindër, ekspertët besojnë se ato nuk janë faktori vendimtar.
Mjekja Zoyah Hussain ka thënë se ende has pyetje të tilla si nëse vaksina MMR shkakton autizëm, një pretendim i hedhur poshtë shkencërisht prej dekadash. Pika e vaksinimit jashtë institucionit shëndetësor Që nga pikës në qendrën tregtare në vitin 2023, përqindja e fëmijëve që marrin dozën e parë të vaksinës MMR deri në moshën 18 muajshe është rritur nga 78 për qind në 88 për qind.
“Ne po ecim kundër trendit kombëtar”, ka thënë administratori Bill Graham. Rënia e vaksinimit ka hapur debat në Britani nëse vaksinimi i fëmijëve duhet të bëhet i detyrueshëm. Megjithatë, shumë ekspertë paralajmërojnë se detyrimi mund të dëmtojë besimin e qytetarëve ndaj sistemit shëndetësor. “Shëndetësia në Britani bazohet te besimi.
Nuk mund ta rikthejmë atë duke i detyruar njerëzit”, ka thënë Graham. Ekspertët pajtohen se zgjidhja më efektive është t’i bëjnë shërbimet e vaksinimit më të afërta, më të lehta dhe më të qasshme për prindërit, në vend që të mbështeten vetëm te fushatat kundër dezinformimit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
