Numri i personave të vrarë nga sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë është rritur në 17, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fillimisht ishte raportuar për 15 viktima, prej të cilëve 14 në rajonin e gjerë të Kievit dhe një në kryeqytetin ukrainas. Në reagimin e tij të parë pas sulmeve, Zelensky njoftoi se 44 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Presidenti ukrainas e ka cilësuar sulmin si një “goditje të rëndë”, duke theksuar se objektiv i sulmeve ishin edhe biznese civile. “Raketat për interceptimin e raketave balistike do të mund t’ua shpëtonin jetën personave që u vranë sot.
Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se vonesat në furnizimin me to, apo mungesa e gatishmërisë për të ofruar sisteme kundër raketave balistike, çojnë drejtpërdrejt në viktima dhe shkatërrime kaq të tmerrshme”, deklaroi Zelensky. Pamjet e publikuara gjatë natës treguan disa objekte të goditura, përfshirë edhe një depo të një supermarketi që u përfshi nga zjarri.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjithsej 143 raketa dhe dronë gjatë sulmit. Në mesin e tyre ishin 24 raketa balistike të llojeve Iskander-M dhe S-400, katër raketa kundër anijeve Zircon dhe Onyx, si dhe 115 dronë sulmues Shahed dhe mjete ajrore pa pilot të përdorura për mashtrim. Mbrojtja ajrore ukrainase njoftoi se ka rrëzuar ose neutralizuar në mënyrë elektronike 98 dronë.
Megjithatë, sipas raportimeve, asnjëra nga 28 raketat e lëshuara nuk është kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Raketat dhe dronët kanë goditur 26 lokacione, ndërsa mbetjet e mjeteve të rrëzuara kanë rënë në gjashtë zona të tjera. Sulmi ka vazhduar deri rreth orës të mëngjesit.
Raketat balistike ruse godasin Kievin, të paktën 14 persona humbin jetën Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
