Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqi, ku trupi i pajetë i një 90-vjeçari është gjetur i fshehur brenda një frigoriferi në bodrumin e banesës së tij. Rasti është zbuluar pasi autoritetet kanë marrë informacione për zhdukjen e të moshuarit dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Gjatë verifikimeve, policia ka thirrur për të dhënë shpjegime djalin 55-vjeçar të viktimës.
Pas hetimeve, autoritetet kanë zbuluar trupin e pajetë të 90-vjeçarit të fshehur në frigorifer. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe një ekspert mjeko-ligjor, i cili, sipas këqyrjes paraprake, nuk ka konstatuar shenja të dukshme dhune në trupin e viktimës. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas kryerjes së autopsisë-nekropsisë.
I biri i 90-vjeçarit, 55-vjeç, është arrestuar nga autoritetet. Sipas mediave greke, ai u ka deklaruar hetuesve se babai i tij kishte ndërruar jetë nga shkaqe natyrore. Megjithatë, ai dyshohet se e ka mbajtur trupin e të atit në frigorifer për të vazhduar të përfitonte pensionin e tij. Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
