Merret vendim për dy zyrtarët që dyshohet se përvetësuan mbi 2000

0%

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji dy të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”. Sipas njoftimit të gjykatës, masa është caktuar ndaj të pandehurve me inicialet Xh.B. dhe B.R., dhe do të jetë në fuqi deri më .

Sipas dyshimeve të bazuara, gjatë periudhës nga gushti deri në nëntor 2024 dhe nga shkurti deri në dhjetor 2025, derisa ishin në orarin e punës, përkatësisht në ndërrimin e natës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, ata kanë përvetësuar paratë e arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se i dyshuari Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1 mijë e 250 euro, ndërsa B.R. 1 mijë e 32 euro. Shuma e përgjithshme e mjeteve financiare që dyshohet se janë përvetësuar arrin në 2 mijë e 282 euro.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me vendimin e gjykatës, të pandehurit nuk lejohen të largohen nga vendbanimi pa autorizim të gjykatës dhe u ndalohet të kontaktojnë me persona me të cilët nuk jetojnë ose nuk janë të varur prej tyre. Gjykata ka paralajmëruar se, nëse shkelet masa e arrestit shtëpiak, ndaj tyre do të caktohet masa e paraburgimit.

Mbikëqyrja e zbatimit të masës do të bëhet nga stacioni përkatës policor, i cili mund të kryejë kontrolle në çdo kohë dhe ta njoftojë gjykatën për çdo shkelje të mundshme. Gjykata thekson se vendimi është bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës, të cilat krijojnë dyshim të bazuar për kryerjen e veprës penale.

Burimi: Bota Sot