Libani dhe Izraeli kanë nisur këtë të martë në Romë një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, me synimin për të avancuar zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët për jugun e Libanit. Delegacionet e të dyja vendeve mbërritën në Ambasadën e SHBA-së në kryeqytetin italian, ku bisedimet pritet të zgjasin deri të enjten.
Në qershor, gjatë negociatave të zhvilluara në Uashington, palët ranë dakord për një kornizë që parashikon çarmatimin e Hezbollahut, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit dhe vendosjen e ushtrisë libaneze në zonë, fillimisht në disa rajone pilot.
Ky është raundi i shtatë i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Uashingtoni që nga muaji mars, kur Hezbollahu u përfshi në konfliktin rajonal duke lëshuar raketa drejt Izraelit në mbështetje të Iranit. Izraeli iu përgjigj me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore, për të cilat Libani pretendon se kanë shkaktuar mbi 4.300 viktima.
Kryeministri libanez Nawaf Salam deklaroi se qeveria po punon për të siguruar tërheqje të njëpasnjëshme të forcave izraelite, me synimin për një largim të plotë nga territori libanez.
Ndërkohë, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit bëri të ditur se diskutimet e kësaj jave do të fokusohen në zgjerimin e zonave pilot, zgjidhjen e çështjeve të mbetura kufitare dhe avancimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqen dhe sigurinë. Megjithatë, procesi po përballet me kundërshtime të forta nga Hezbollahu.
Udhëheqësi i grupit, Naim Qassem, i cilësoi negociatat e drejtpërdrejta si “turp dhe kompromis” për Libanin, ndërsa kritikoi edhe presidentin Joseph Aoun, duke e akuzuar se nuk po vepron si figurë bashkuese.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdojnë dialogun në mënyrë konstruktive për të mundësuar zbatimin e plotë të marrëveshjes.
Pas raundit të kaluar të bisedimeve, ushtria izraelite u tërhoq nga periferia e fshatit Zawtar al-Gharbiya, një nga zonat e para pilot, ku më pas u vendos ushtria libaneze dhe banorëve iu lejua të rikthehen për të kontrolluar shtëpitë dhe bizneset e tyre.
Pavarësisht uljes së tensioneve në muajt e fundit, autoritetet libaneze vazhdojnë të raportojnë sulme sporadike izraelite, granatime dhe shpërthime në fshatrat e jugut të vendit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
