Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përfunduar një marrëveshje kredie në vlerë prej 302 milionë dollarësh me Shqipërinë për bashkëpunim në fushën e sigurisë, e cila synon forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
Marrëveshja, e realizuar përmes programit amerikan të Financimit të Huaj Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), është ratifikuar dhe nënshkruar nga Shqipëria, ndërsa sipas Departamentit amerikan të Shtetit do të ndihmojë vendin në përmbushjen e angazhimeve të tij të mbrojtjes.
Sipas një njoftimi të Departamentit amerikan të Shtetit, , kjo marrëveshje do t’i ndihmojë Shqipërisë në përmbushjen e angazhimit të Mbrojtjes së Hagës për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
“Huaja FMF do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë përmes mbështetjes për blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë nga SHBA-ja dhe do të forcojë aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e saj”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se Shqipëria, si aleate e NATO-s, ka qenë e përafruar me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, duke e përmendur edhe rolin e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump.
Marrëveshja e re e financimit vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të aleatëve evropianë dhe rritjen e bashkëpunimit të sigurisë mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë më , ka miratuar marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit, pas një debati të nxehtë disa orësh.
Marrëveshja kaloi me 74 vota për në një votim me dyer të mbyllura në Kuvendin me 140 vende, që u braktis nga opozita. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se mediat nuk mund të lejoheshin t’i ndiqnin diskutimet, pas kërkesës së deputetëve të shumicës që argumentuan se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar.
Opozita, megjithëse tha se e mbështeste marrëveshjen, kundërshtoi mënyrën se si ajo po shqyrtohej. Partia Demokratike (PD) në opozitë e kundërshtoi mënyrën e ndjekur nga shumica socialiste, duke e akuzuar atë për shkelje të procedurave kushtetuese, pasi marrëveshja u fut për miratim me procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më herët në dispozicion të deputetëve teksti i plotë i dokumentit.
“Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
PD-ja kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Legjislacionit për të shqyrtuar nëse procedura e ndjekur ishte në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Opozita propozoi që votimi i marrëveshjes të shtyhej për seancën e së premtes, duke kërkuar që më parë të respektoheshin afatet dhe procedurat parlamentare.
Më 19 qershor, Qeveria shqiptare e miratoi në parim marrëveshjen e huas direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA. “Kjo është marrëveshje historike për Shqipërinë. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë.
Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s”, tha Balla. Sipas Ballës, fondet do të shpërndahen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.
Shqipëria do të ketë 48 muaj për t’i aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA). Më 11 qershor, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington, ku u takua me drejtoreshën në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet u përqendruan në avancimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në NATO.
DSCA është agjenci e Departamentit amerikan të Mbrojtjes që administron programet e bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere, përfshirë financimin, shitjen e pajisjeve ushtarake dhe projektet për modernizimin e forcave të armatosura. Në fund të qershorit, Shqipëria rriti buxhetin e mbrojtjes me 10.3 miliardë lekë – afërsisht 105 milionë euro.
Sipas Qeverisë, me këtë shtesë, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Rritja e buxhetit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë aleatëve të NATO-s t’i shtojnë investimet në mbrojtje, ndërsa Aleanca ka vendosur si objektiv që vendet anëtare të synojnë shpenzime deri në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.
