Një studim i ri ka paralajmëruar se kriteret aktuale të shërbimit shëndetësor në Britani (NHS) për kontrollin e kancerit të gjirit te gratë nën moshën 50 vjeç janë shumë të kufizuara dhe mund të mos identifikojnë deri në 95 për qind të atyre që janë në rrezik më të lartë për ta zhvilluar sëmundjen, ka shkruar BBC.
Sipas studiuesve nga Universiteti Cambridge dhe Instituti për Kërkime mbi Kancerin, udhëzimet aktuale bazohen kryesisht te historia familjare dhe faktorët gjenetikë, ndërsa nuk marrin mjaftueshëm parasysh elementë të tjerë si stili i jetesës, pesha trupore, konsumimi i alkoolit dhe historia riprodhuese.
Duke përdorur një mjet të ri për vlerësimin e rrezikut, studiuesit zbuluan se mund të identifikohen tetë herë më shumë gra nën 50 vjeç që kanë rrezik të lartë për kancer të gjirit, krahasuar me kriteret aktuale.
Ata theksuan se rreth 73 për qind e grave që zhvillojnë kancer të gjirit para moshës 50 vjeç nuk kanë histori familjare të kësaj sëmundjeje, çka tregon se mbështetja vetëm te ky kriter lë shumë raste pa u zbuluar.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zgjerimi i kontrolleve do të rriste numrin e ekzaminimeve, ngarkesën për sistemin shëndetësor dhe mund të shkaktonte ankth te disa gra për shkak të kontrolleve shtesë.
Përfaqësuesit e Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Kujdes në Britani (NICE) kanë deklaruar se i mirëpresin gjetjet e studimit, por vlerësojnë se, për momentin, nuk ka prova të mjaftueshme për të ndryshuar udhëzimet ekzistuese. Ekspertët këshillojnë që çdo grua të njohë ndryshimet normale të gjinjve të saj dhe të konsultohet me mjekun nëse vëren ndonjë ndryshim të pazakontë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
