Agim Kasapolli: Mikrofoni nuk është për këdo

0%

Legjenda e komentimit dhe gazetarisë sportive, Agim Kasapolli, veprimtar i dalluar sportiv në gjeneratën e sakrificës në rezistencë ndaj regjimit serb, ka shtjelluar rolin e komentatorit. “Mikrofoni nuk është për këdo!

Boksi është një ndër sportet me traditën më të pasur në Kosovë, ndërsa në Shqipëri, sidomos pas rënies së komunizmit, ka njohur një zhvillim dhe popullaritet të konsiderueshëm. Megjithatë, paradoksalisht, një pjesë e madhe e transmetimeve televizive nuk arrijnë ta përcjellin bukurinë e këtij sporti. Arsyeja nuk qëndron te cilësia e dueleve, por te mënyra se si ato komentohen.

Nuk është rastësi që boksi në mbarë botën njihet si “shkathtësi bujare”. Ky përkufizim shpreh thelbin e këtij sporti: boksi nuk është një rrahje e zakonshme, por një duel teknik, taktik dhe psikologjik, ku inteligjenca dhe mjeshtëria kanë po aq rëndësi sa forca fizike. Fatkeqësisht, shumë komentatorë në hapësirën shqiptare ende nuk e kuptojnë këtë filozofi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shpeshherë ata nuk zotërojnë terminologjinë profesionale të boksit dhe, në vend që ta ndihmojnë shikuesin ta kuptojë zhvillimin e meçit, e paraqesin atë si një përleshje të rëndomtë. Komentimi bëhet i zhurmshëm, emocional dhe i njëanshëm. Në shumë raste krijohet përshtypja sikur në ring ndodhet vetëm një boksier – zakonisht ai vendas – ndërsa kundërshtari pothuajse shpërfillet.

Një qasje e tillë e deformon realitetin sportiv dhe e humb besueshmërinë e transmetimit. Përvoja ime pesëdhjetëvjeçare në gazetarinë sportive dhe komentimi i më shumë se 400 meçeve të boksit nga Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Kampionatet Evropiane dhe garat më elitare të ish-Jugosllavisë – më kanë bindur se komentatori nuk duhet të jetë protagonisti i transmetimit.

Protagonistë janë boksierët; komentatori është ura që lidh publikun me atë që ndodh në ring. Si duhet të komentohet boksi? Komentimi profesional fillon para tingullit të ziles së parë.

Shikuesi duhet të njihet me biografinë sportive të secilit boksier, rezultatet më të rëndësishme, stilin e boksimit, këndin ku pozicionohet dhe ngjyrën e fanellës, në mënyrë që ta identifikojë lehtë gjatë gjithë meçit. Parimi themelor i komentimit është paanshmëria. Komentatori nuk është tifoz, por profesionist. Ai duhet t’i trajtojë të dy boksierët me të njëjtin respekt dhe objektivitet.

Gjatë zhvillimit të raundit, komentimi duhet të jetë i përmbajtur. Nuk është e nevojshme të flitet pa ndërprerje. Boksi është një sport që flet vetë përmes lëvizjeve, ritmit dhe aksioneve. Ndërhyrja e komentatorit duhet të bëhet vetëm në momentet kyçe: kur ndodh një nokdaun, kur realizohet një kombinim i pastër goditjesh ose kur shfaqet një element teknik që meriton sqarim.

Edhe atëherë, komentimi duhet të jetë i shkurtër, i saktë dhe informues. Pushimi ndërmjet raundeve është koha kur komentatori duhet ta dëshmojë profesionalizmin e tij. Pikërisht atëherë ai analizon raundin, shpjegon se cili boksier pati epërsi, evidenton gabimet dhe sukseset e secilit, si dhe argumenton vlerësimin e tij me elemente teknike, e jo me emocione.

Një komentator nuk është as refer dhe as gjyqtar. Ai nuk ka të drejtë të marrë rolin e tyre dhe aq më pak të shpallë fituesin e meçit përpara vendimit zyrtar. Fatkeqësisht, kjo dukuri është bërë e zakonshme në shumë transmetime televizive shqiptare gjatë viteve të fundit, duke dëmtuar etikën profesionale dhe duke krijuar perceptime të gabuara te publiku.

Komentimi sportiv nuk matet me numrin e fjalëve të shqiptuara, por me cilësinë e informacionit që i ofrohet shikuesit. Një komentator i mirë nuk e mbulon spektaklin me zërin e tij; ai e ndihmon publikun ta kuptojë dhe ta shijojë atë. Boksi meriton komentim profesional, të paanshëm dhe me kulturë sportive.

Vetëm kështu respektohen sporti, boksierët dhe publiku”, ka shkruar Kasapolli në profilin e tij në facebook..

Burimi: Bota Sot