Një i person i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar është ekstraduar nga Zvicra për në Kosovë. Shtetasi kosovar K.B ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Përmes një komunikate për media mësohet se ekstradimi u bë nga Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës. I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të Policisë për vazhdim me procedurat e tjera ligjore.” – thuhet në komunikatën për media e Policisë së Kosovës më .
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar nga Policia e Kosovës bën të ditur se do vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale si dhe aktiviteteve të tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
