Këshilli Prokurorial i Kosovës, me shtatë vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, ka miratuar shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit. Nga 209 pozita të miratuara, vetëm 34 prej tyre janë të lira, 10 prej të cilave do të jenë të rezervuara për komunitetit serb.
Zëvendëskyresuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi bëri të ditur se për momentin 177 prokurorë janë aktiv, dy prej tyre do të pensionohen. Andaj 34 pozita janë të lira për këtë pozitë.
Vuniqi: Në sistemin prokurorial ekzistojnë 34 pozita të lira “Komisioni për buxhet, financa dhe administrim të prokurorive bazuar në të dhënat zyrtare të KPK-së rezulton se numri përgjithshëm të pozitave të miratuara në sistemin prokurorial është 209, bëhet fjalë për prokurorë. Aktualisht funksionin e prokurorit të shtetit e ushtrojnë 177 prokurorë aktivë.
Gjithashtu, sipas planifikimeve të burimeve njerëzore dy prokurorë do të përfundojnë mandatin për shkak të pensionimit. Nga ky numër rezulton se në sistemin prokurorial ekzistojnë 34 pozita të lira në kuadër të këtij konkursi, komisioni ka vlerësuar një ndryshim nga analiza e pranuar se 10 pozita, mund të rezervohen për kandidatët nga komuniteti serb si dispozitë afirmative”, tha Vuniqi.
Konkursi do të hapet më 17 gusht dhe do të zgjasë 15 ditë.
