Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar ashpër ndaj PDK-së dhe AAK-së pas refuzimit të tyre për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një reagim publik, Mekuli e cilëson këtë veprim si “sabotim të Republikës”, duke argumentuar se në një kohë kur po zbulohen varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës dhe kur, sipas tij, situata e sigurisë mbetet e ndjeshme, partitë politike duhet të tregojnë unitet.
Ai kritikon opozitën për bojkotimin e dialogut institucional, duke e cilësuar këtë si vendosje të interesave partiake mbi interesin shtetëror.
Shkrimi i plotë: Sabotimi i Republikës Në një komb me ndërgjegje historike, kur edhe toka dridhet nga zbulimi i varrezave masive me plot shqiptarë, dhe kur nga thellësia e maleve në Kosovën veriore po dalin eshtrat e civilëve shqiptarë të vrarë nga Serbia e moçme, zakonisht heshtin egërsitë primitive të interesit të ngushtë dhe flet përgjegjësia e lartë kombëtare.
Por kjo që po ndodhë sot në skenën tonë politike nuk është as përgjegjësi, as maturi e as dinjitet. Është tragjikomedi dhe mjerim politik.
Në çastin më të rëndë, kur Kosova jonë kërcënohet hapur me luftë nga Serbia, bosat e PDK-së dhe AAK-së paskan zgjedhë bojkotin, sabotimin e Kosovës, pra, PDK dhe AAK refuzojnë dialogun shtetëror, refuzojnë tryezën e bashkimit dhe barrikadohen pas egos së tyre të sëmurë.
Të dashur lexues, Cila është ajo logjikë e mbrapshtë që e çon një udhëheqje partiake të bojkotojë shtetin, pikërisht atëherë kur gjaku i derdhur dhe eshtrat e të vrarëve kërkojnë përbashkim?
Të nderuar lexues, A thua karrigia e hyqymetit dhe kalkulimi i ulët partiak peshojnë më shumë se dinjiteti i këtij populli të vuajtur; me varre plot me shqiptarë të pagjetur kudo në Serbi e në veri të Kosovës?
Deri kur more do të pranohet që fati i këtij shteti të lodhur nga Serbia dhe mafia të nëpërkëmbët nga egoizmi i tyre katundaresk i shekullit XIX, që interesin kombëtar e matin vetëm me kultin e tyre të personalitetit dhe me kutin e vockël partiak.
Ky nuk është opozitarizëm largpamës; ky është një sabotazh i hapur ndaj shqiptarëve dhe Kosovës si shtet; është një braktisje e detyrës historike. Të refuzosh sot ndërtimin e institucioneve të Kosovës në kohën kur Serbia forcon ushtrinë mbi kufi dhe fsheh krimet e djeshme ndaj popullit shqiptar, do të thotë t’i bësh shërbimin më të padinjitshëm këtij vendi e këtij populli historik.
Konsekuent deri në fund; Kosova e lame n’gjak nuk u ndërtu mbi sakrificën e heronjëve dhe shqiptarëve për t’u shndërruar në Bitcoin të ideshkurtërve mesjetar që Kosovën e shohin vetëm si pronë personale e fabrikë për pasuri familjare. Zoti ju marroftë!
