Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” ka realizuar 6.85 milionë euro të hyra gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve paraprake.
Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka, ka bërë të ditur se të hyrat janë rritur për 10.5 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 dhe për 37.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërmarrja ka realizuar 6.85 milionë euro të hyra, krahasuar me 6.20 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2025 dhe 4.98 milionë euro në vitin 2024” , ka shkruar Mujka. Ai ka bërë të ditur se në të njëjtën periudhë, fitimi operativ i ndërmarrjes ka arritur në 3.69 milionë euro, ndërsa fitimi neto në 1.30 milion euro.
“Këto rezultate pasqyrojnë menaxhimin e përgjegjshëm, angazhimin e vazhdueshëm dhe orientimin tonë drejt rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit të mëtejshëm të ndërmarrjes” , ka deklaruar Mujka. Sipas tij, rezultatet financiare janë tregues i punës dhe përkushtimit të përbashkët të stafit të ndërmarrjes.
