Komuna e Kaçanikut ka përfunduar montimin e dy pompave të ujit, të cilat synojnë të rrisin kapacitetet dhe të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm në komunë. Kryetari i Komunës, së bashku me stafin komunal, kanë vizituar punimet që po realizohen në kuadër të kontratës për “Ndërtimin e rezervuarëve në Dushkajë dhe Stacionit të Pompimit në Provoli”.
Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arian Teneqja, projekti financohet nga buxheti komunal dhe është pjesë e investimeve të planifikuara për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm. Në kuadër të projektit janë montuar edhe dy pompa me sistemin përkatës pranë pusit të ish-Fabrikës së Gëlqeres, të cilat tashmë janë të gatshme për përdorim.
Komuna ka bërë të ditur se KRU “Bifurkacioni” është njoftuar për përfundimin e punimeve dhe gatishmërinë e këtyre aseteve për shfrytëzim. Sipas njoftimit, pompat pritet të vihen në funksion në rast nevoje ose mungese të ujit, me qëllim të përmirësimit të furnizimit për qytetarët.
