Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore Mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Kështu, kanë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit.
Sipas tyre, gjatë procesit të aplikimit nuk është shfaqur ndonjë problem në sistem dhe tani janë në fazën e analizës për ndarjen e shumës së mjeteve për nxënësit. Aplikimi do të jetë i hapur deri më . Ministria e Arsimit ka përsëritur thirrjen drejtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, të aplikojnë sa me shpejt për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Deri sot, kanë aplikuar mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, i tha Radio Kosovës së procesi i aplikimit është duke funksionuar si duhet dhe deri me tani nuk është shfaqur ndonjë problem.
“Deri sot, e hënë datë 3 gusht, kanë aplikuar 123 mije e 829 prindër dhe kujdestarë ligjorë. Ne si ministri u kemi bërë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre.
Deri më tani nuk ka pasur vështirësi apo ndonjë problem gjatë aplikimit për sa i përket sistemit” , tha Kadriu. Tutje, Kadriu foli edhe buxhetin që pritet të ndahet për nxënësit për këtë vit shkollor, për çka tha se ende nuk është caktuar shuma, pasi janë në fazën e analizimit të teksteve që nxënësit duhet të blejnë.
“Po shumën, sa do të subvencionohen prindërit, Ministria e Arsimit është duke bërë një kalkulim. Konsiderojmë që edhe shuma që do të ndahet, duhet të jetë e përshtatshme me numrin e teksteve që do të ketë secili nxënës , pra që mos të ketë më pak mjete se sa që ka tekste mësimore.
Kështu që, deri sa të aplikojnë të gjithë prindërit, do ta dimë edhe numrin e saktë të nxënëseve, pastaj ministria do dalë edhe me shumën që do të subvencionojë” , shtoi ajo Tutje, ajo bëri të ditur se për herë të parë këtë vit të drejtë aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore do të kenë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ministria e Arsimit në këtë moment është në fazën e grumbullimit të emrave të koordinatorëve në të gjitha shkollat, ka theksuar Kadriu duke shtuar se të gjitha aplikimet do të verifikohen, ashtu si vitin e kaluar, përmes shkollave dhe përmes koordinatorëve të autorizuar në shkolla.
