Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Llamallari ka reaguar ashpër ndaj dy rasteve të fundit të shkeljeve të rregullave të sigurisë në bregdet, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj kujtdo që rrezikon jetën e pushuesve.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Llamallari e cilësoi të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm rastin në Dhërmi, ku një 12-vjeçari i ishte dhënë në përdorim një Jet Ski. “T’i dorëzosh një 12-vjeçari një Jet Ski është një veprim sa i papërgjegjshëm, po aq edhe i rrezikshëm për jetën e vetë fëmijës dhe të pushuesve në Dhërmi”, deklaroi ai.
Ministri u ndal edhe te një tjetër rast në Ksamil, ku një drejtues gomoneje shkeli perimetrin e sigurisë, duke hyrë në zonën e rezervuar për larjen e pushuesve. Sipas Llamallarit, veprime të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik serioz për qytetarët, veçanërisht për fëmijët që ndodhen në plazh.
Ai theksoi se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë shkelje që cenon sigurinë në bregdet, duke paralajmëruar masa të forta ndëshkuese. “Policia e Shtetit nuk do të tolerojë askënd që rrezikon jetën dhe shëndetin e turistëve dhe në çdo rast do të procedojë me sanksione të rënda administrative (gjobë dhe bllokim mjeti) dhe procedim ligjor.
Bregdeti nuk është për të papërgjegjshmit!”, u shpreh ministri.
