Një përleshje fizike mes dy shtetasve të huaj ka ndodhur në orët e para të mëngjesit gjatë festivalit Sunny Hill në Prishtinë, duke përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e të dyshuarve. Sinjali mëson se të përfshirë në incident janë Aron Radik rreth 33 vjecar, shtetas i Estonisë, dhe Billey Alexandre rreth 19 vjecar, shtetas i Holandës.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës të mëngjesit të 2 gushtit, në hapësirat e festivalit Sunny Hill, në fshatin Bërnicë, në rrugën “Pranvera e Lirisë”. Dy shtetasit e huaj dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike, gjatë së cilës i kanë shkaktuar lëndime trupore njëri-tjetrit.
Në vendin e ngjarjes ka qenë e pranishme edhe një dëshmitare, e cila është intervistuar nga Policia. Pas incidentit, të dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor Veriu, ku u është ofruar edhe trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Për shkak se nuk ka qenë e mundur të sigurohej një përkthyes i licencuar, komunikimi me të dyshuarit është zhvilluar në gjuhën angleze, në prani të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulm”, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
