Një konflikt familjar në fshatin Retijë të Rahovecit ka përfunduar me arrestimin e një 25-vjeçari, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë. Sinjali mëson se i dyshuari është V. K. 25 vjeçar, ndërsa viktimë babai i tij, H. K. 58 vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja kishte ndodhur më 31 korrik, rreth orës , pas një mosmarrëveshjeje verbale mes babait dhe djalit. Viktima ka deklaruar se gjatë konfliktit është sulmuar fizikisht nga djali i tij, i cili dyshohet se i ka shkaktuar lëndime në fytyrë.
Pas incidentit, 58-vjeçari është dërguar për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas është liruar. Pas denoncimit të rastit, Policia ka arrestuar V. K, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i njëjti është ndaluar për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
