Shkëmbinjtë vullkanikë, nga duart e artizanëve drejt sofrave

0%

Në rrethin Salihli të Manisës në Turqi, shkëmbinjtë vullkanikë brenda kufijve të Gjeoparkut Global të UNESCO-s përpunohen sipas traditës së poçarisë, e cila është përcjellë brez pas brezi, duke u shndërruar në enë balte dhe tava rezistente për gatim.

Shkëmbinjtë vullkanikë të nxjerrë nga zona e gjeoparkut transportohen nga burrat e lagjes në shtëpi, ku grimcohen në makineri bluarëse derisa kthehen në pluhur. Ky pluhur përzihet me argjilën e nxjerrë nga shtretërit e lumenjve për të përgatitur baltën.

Gratë, në tezgat e vendosura në oborret e shtëpive të tyre, i japin formë baltës dhe prodhojnë enët e gatimit dhe poçet, ndërsa burrat merren me pjekjen dhe tregtimin e tyre. Falë qëndrueshmërisë dhe shkëlqimit natyror që siguron struktura vullkanike, produktet nuk kanë nevojë për proces shtesë të glazurimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në lagjen me 1.830 banorë, poçaria përbën burimin kryesor të të ardhurave për 25 familje. Produktet, përmes tregtarëve, dërgohen në qytete të ndryshme të Turqisë, por edhe jashtë vendit. Kërkesa për to rritet veçanërisht në prag të Festës së Kurban Bajramit.

Mjeshtrja e poçarisë, Emine Tanguç, e cila prej rreth 30 vitesh vazhdon zanatin e mësuar në shtëpinë e prindërve, tha për Anadolu se, pavarësisht procesit të vështirë të prodhimit, e ushtrojnë punën me dashuri.

Emineja theksoi se poçaria është një trashëgimi shekullore që në lagje është mbajtur gjallë nga gratë, duke shtuar se në çdo enë që formësojnë me duart e tyre fshihen shumë mund dhe durim. Ajo tha se punën e nisin herët në mëngjes dhe se, pavarësisht vështirësive, vazhdojnë të punojnë me të gjitha forcat për t’ua përcjellë këtë zanat të trashëguar brezave të ardhshëm.

Duke theksuar se jetesën e sigurojnë nga ky zanat, Tanguç tha: “Falë Zotit, nxjerrim bukën e gojës dhe jetojmë me këtë punë. Është një zanat i mundimshëm, por jemi të kënaqur me gjendjen tonë. Shitjet në përgjithësi janë të qëndrueshme, por gjatë periudhës së Kurban Bajramit kërkesa rritet edhe më shumë”. /AA

Burimi: Telegrafi