Suedia vitin e kaluar fitoi një kampion të futbollit nga një fshat peshkatarësh me rreth 1.500 banorë. Mjallby tronditi klubet tradicionale të mëdha dhe fitoi titullin e parë në historinë e tij. Ndërsa këtë sezon, Allsvenskan (liga elitare suedeze) ka një tjetër senzacion.
IK Sirius nga Uppsala, pas 14 prej 30 javëve të kampionatit, ende nuk ka pësuar asnjë humbje dhe po marshon bindshëm drejt titullit të parë në historinë e klubit. Sirius, deri tani, ka regjistruar 12 fitore dhe 2 barazime, me golaverazh .
Ai ka grumbulluar 38 nga 42 pikët e mundshme, ndërsa ndaj ndjekësit më të afërt, Hammarby, ka një epërsi prej 11 pikësh, duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Sulmuesit e tij, Robbie Ure dhe Isak Bjerkebo, janë gjithashtu golashënuesit më të mirë të kampionatit me 15, respektivisht 10 gola.
Sa i papritur është ky sukses, e tregon më së miri krahasimi me sezonet e mëparshme të Siriusit. Platforma statistikore Football Meets Data ka llogaritur se klubi, pas vetëm 14 javësh, tashmë ka tejkaluar mesataren e pikëve që kishte në fund të sezonit gjatë nëntë viteve të fundit, e cila ishte 36,8 pikë.
Atij i duhen vetëm katër pikë për të barazuar rezultatin më të mirë të arritur në atë periudhë. Sezonin e kaluar, Sirius kishte vetëm një pikë më shumë pas të gjitha 30 ndeshjeve sesa ka tani. Atëherë e përfundoi kampionatin në vendin e nëntë me 39 pikë, falë 11 fitoreve, 6 barazimeve dhe 13 humbjeve. Tani ka 38 pikë, pa arritur ende gjysmën e sezonit.
Modeli statistikor i Football Meets Data vlerëson se Sirius ka 79% gjasa për ta fituar titullin kampion. Hammarby ka 11%, Djurgården 7%, ndërsa AIK dhe Malmö vetëm nga 1% secili. Natyrisht, kjo nuk garanton që trofeu do të përfundojë në Uppsala, por tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për një fillim të mirë të sezonit.
