Paralajmërimi i stuhisë, Komunat pa buxhet për menaxhim të situatës,

0%

Pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për stuhi në vend, komunat ankohen se nuk kanë kapacitete financiare të mjaftueshme për të menaxhuar situatat kësodore dhe shtrojnë nevojën për themelimin e fondit emergjent.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për kp se komunat në aspektin financiar janë shumë të kufizuara që të bëjnë diçka për menaxhimin e situatave me stuhi, duke vënë në dukje se kjo është përgjegjësi institucionale enivelit qendror të qeverisjes.

Ibrahimi: Komunat në aspektin financiar shumë të kufizuara, niveli qendror e ka përgjegjësi institucionale “Nga komunat nga aspekti financiar, janë jashtëzakonisht keq. Domethënë kanë dhjetëra miliona euro që u merren komunave padrejtësisht dhe komunat nuk kanë kapacitete financiare që të ndërmarrin masa disi shumë të rëndësishme sa i përket ndryshimeve klimatike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për këtë arsye e kemi qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila e ka buxhetin e Republikës së Kosovës, e menaxhon mbi 77-78% të buxhetit të Republikës së Kosovës, po flas për nivelin qendror dhe nga aspekti financiar komunat janë jashtëzakonisht të limituara që të bëjnë diçka të madhe sa i përket paralajmërimeve për stuhi.

Edhe nga aspekti i vërshimeve apo fenomeneve të ndryshme natyrore për mbulimin apo rimburësimin e mjeteve për bujqësi, për qytetarë, për infrastrukturë, për biznese, niveli qendror e ka përgjegjësi institucionale”, tha Ibrahimi. Ibrahimi bëri të ditur se ka qytetarë nga komuna të ndryshme që nuk janë kompensuar ende nga Qeveria për dëmtimet nga vërshimet e vitit 2022.

Sipas tij, kjo vonesë po ndodh si pasojë e mosformimit të Fondit Emergjent që edhe pse e kanë kërkuar nuk është themeluar deri më tani.

Ibrahimi: Mosformimi i Fondit Emergjent dhe burokracia në nivelin qendror po i shkakton këto vonesa “Ne si asociacion i kemi identifikuar dy elemente, të cilat do të ndikonin që qytetarët e Republikës së Kosovës që preken nga këto dukuri natyrore të kompensohen më shpejt se sa që janë duke u kompensuar tani. Së pari, kemi kërkuar krijimin e një fondi emergjent për komunat.

Domethënë, një linjë buxhetore që në raste të tilla niveli qendror të reagojë menjëherë përmes komunave, sepse komunat nuk kanë linjë buxhetore për mbulimin e kostos nga vërshimet.

Në këtë rast po kemi vonesa në kompensimin e dëmeve dhe ka qytetarë të cilët nuk kompensohen në plotëni për dëmin e shkaktuar…Elementi i dytë, i cili po shkakton vonesa të tilla, është burokracia në nivelin qendror. Domethënë, komunat pasi që i miratojnë raporte e dëmeve të shkaktuara nga këto fenomene, në këtë rast nga vërshimet, ato i miratojnë në kuvendin komunal.

Dhe kuvendi komunal është organi më i lartë vendimmarrës në nivel lokal, i cili përbëhet nga anëtarë të kuvendeve komunale që vijnë nga pozita po edhe nga opozita. Dhe tash kur dorëzohen ato raporte në nivel qendror, në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ata aty kanë mundësi që t’i rishqyrtojnë ato raporte, t’i rivlerësojnë dhe procesi po zgjatet.

Neve si asociacion kemi kërkuar që komisionet vlerësuese të përbëhen nga anëtarë të komunave, po edhe nga niveli qendror, në mënyrë që ky proces mos të zgjatet. Domethënë kjo burokraci po merr kohë”, tha ai. Kërkesën për formimin e Fondit Emergjent e ka edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai tha rëndësinë e këtij fondi, që do t’i ndihmonte të administrohen situatat emergjente. Latifi: Kemi bërë thirrje të themelohet Fondi Emergjent në mënyrë që të administrojmë situatat emergjente “Fillimisht komunat e Kosovës nuk kanë fonde emergjente.

E kemi kërkuar, kemi bërë thirrje që t’i lejohet komunave të paktën fondi i tyre emergjent në mënyrë që të administrojmë situata emergjente… Komunat është e domosdoshme që të kenë një fond emergjent, pra të drejtën për të menaxhuar rastet kur ka fatkeqësi elementare natyrore”, tha Latifi.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës t’i kompensojnë dëmet e qytetarëve të Rahovecit në vlerë 3-4 milionë euro. Latifi: Momenti i fundit që Qeveria t’i kompensojë dëmet nga vërshimet, janë 3-4 milionë euro që qytetarët i presin “Unë i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ka ardhur koha, tashmë është momenti i fundit kur duhet t’i kompensojmë dëmet e shkaktuara në komunat e Republikës së Kosovës.

Jam kryetar i Komunës së Rahovecit, janë 3-4 milionë euro tashmë që qytetarët e dëmtuar të Komunës së Rahovecit nga viti 2022 i presin që të ekzekutohen pagesat në mënyrë që të lehtësohet gjithë ky dëm që është shkaktuar ndër vite”, shtoi ai. Ndërsa, në pushtetin komunal të Mitrovicës së Jugut pohojnë se janë përballur me vërshime qysh në fillim të mandatit.

Zëdhënësi i kësaj komune, Shkëlzen Haliti tha se edhe pse kanë pasur mungesë të drejtorëve për drejtoritë përkatëse, situata është menaxhuar mirë, sepse sipas tij, janë marrë të gjithë hapat e duhur. Edhe Haliti theksoi nevojën e themelimit të Fondit Emergjent, sepse, sipas tij, do të lehtësonte krejtësisht punën dhe do t’u kishin ofruar ndihmë qytetarëve në kohë reale.

Haliti: Një fond i tillë do të ishte shumë i nevojshëm edhe për komunën tonë “Një fond i tillë kishte me qenë shumë i nevojshëm edhe për komunën tonë, për shkak që e dimë që në raste të emergjencave të ndryshme mundet të ketë edhe procedura ligjore, të cilat marrin kohë për pagesa e procedura të tjera.

Ndërsa një fond i tillë i siguruar do të na lehtësonte neve punën shumë për intervenim më të shpejtë, më efikas edhe si me thënë, t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve në kohë reale”, tha Haliti. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar gjatë javës së kaluar stuhi të fuqishme të shoqëruara me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.

Gjithashtu u paralajmërua se stuhitë mund të shkaktojnë goditje rrufesh, me rrezik për njerëzit dhe kafshët, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme në rrjetet e telekomunikacionit. Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njoftoi se ka ngritur gatishmëritë në aspektin operativ dhe koordinues.

Në një përgjigje me shkrim, AME ka qartësuar se “aspekti operativ përfshin përcjelljen e paralajmërimit tek të gjitha njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, ndërsa ai koordinues, ka të bëjë me plotësimin e stafit në Qendrën Operative të Agjencisë dhe ndjek procedurat standarde operative në koordinimin e mbështetjes për nivelin lokal.

“E kur fatkeqësia tejkalon kapacitetin e nje Komune të goditur nga fatkeqësia, AME inicion dhe koordinon ndihmën reciproke nga Komunat fqinje dhe niveli qendror”, thuhet në përgjigje të AME-së. Kosova është ballafaquar me vërshime vitet e fundit, me ç’rast janë shkaktuar dëme në shumicën e komunave.

Burimi: Bota Sot