Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Deja”, pas kontrolleve intensive nga toka dhe monitorimit me dronë nga ajri për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit, në një parcelë të kultivuar në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, pronë publike në territorin e bashkisë Dibër, janë konstatuar 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Për kultivimin e tyre, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë dhe arrestuar dy persona: A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, bashkia Mat.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, Komisariatit të Policisë Mat dhe Komisariatit të Policisë Kamëz.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
Policia u ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave rurale, që të denoncojnë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se bashkëpunimi me autoritetet është i rëndësishëm për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
