Në tri ndeshje miqësore, “Juventusi i ri” ka marrë dy fi tore, një barazim dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Një bilanc pozitiv për Luçiano Spaletin, në pritje që merkatoja të hyjë në fazën më intensive. “Më pëlqeu gjithçka, sepse ndonjëherë skuadra ime, në kampionatin e kaluar, shkonte në sulm edhe kur nuk kishte mbështetjen e mbrojtjes dhe mesfushës.
Ushtronte presing edhe kur nuk ishte e gjithë skuadra e përfshirë. Këtë herë, përkundrazi, lojtarët bënë mirë. U tërhoqën 20 metra më pak në thellësi, fi tuan shumë topa dhe krijuan zhvillime interesante në lojë. Megjithatë, humbëm disa topa në mënyrë shumë të thjeshtë”, tha trajneri bardhezi pas fi tores ndaj Nisës. Ndër aspektet më pozitive ishin paraqitjet e Dagllas Luizit.
“Ai mbuloi hapësira, përveçse luajti me topin. Bëri metra dhe gjithashtu me një shpejtësi më të madhe, që janë pikat ku duhet të përmirësohet. Mund ta lija më gjatë në fushë, por kishte vuajtur shumë në stërvitje, ndaj nuk do të ketë më shumë mundësi për seanca të gjata dhe sot kisha 2-3 lojtarë në rrezik”, tha trajneri italian.
Për merkaton, Spaleti u shpreh: “Pres diçka, sepse zyra ime është mes Marko Otolinit dhe Frederik Masarës, ndaj di gjithçka që lëviz dhe shoh përkushtimin e tyre në merkato. Janë drejtorë të njohur me shumë eksperiencë.
Duke qenë se kjo është një merkato veçanërisht e komplikuar për arsye të ndryshme, dhe duke qenë se në vitet e kaluara kemi gabuar me disa blerje, tani që duhet të ndërhyjmë në disa pozicione, nuk mund të blejmë si klubet e tjera, por duhet të optimizojmë zgjedhjet. Edhe në këtë drejtim drejtuesit tanë kanë qenë perfektë”.
Për nënën e tij, e cila u nda nga jeta së fundmi, Spaleti tha: “Nënat janë simboli i jetës, edhe kur largohen nga kjo botë. Më bëri shumë mirë prania e drejtuesve të Juves në kishë. Do t’u jem gjithmonë mirënjohës për këtë mendim”. Në fund, një koment edhe për Franko Barezin. “Ndjej të them të gjitha fjalët e bukura që janë thënë.
Shumë kanë përdorur shprehje që përshkruajnë në mënyrë perfekte karakterin e njeriut dhe të kampionit. Pashë videon e Maradonës me fanellën e Barezit. Ishte ai që e ngriti atë në nivelin e ‘Maradonës së mbrojtësve’”, mbylli Luçiano Spaleti. Miqësoja – Paraqitje e shkëlqyer nga Juventusi, që mposht 2-0 Nisën me golat e Luizit dhe Oboavoduos.
Një rezultat i arritur në përputhje me gjendjen fizike të skuadrës, e cila është ende në rritje, ndërsa lojtarët kanë këmbë të rënduara për shkak të ngarkesave stërvitore. Shumë mirë paraqitja e Çelikut, i cili luajti si në krahun e djathtë, ashtu edhe në të majtin. Spaleti mund të gëzohet veçanërisht për repartin difensiv, pasi në tri ndeshje miqësore Juventusi nuk ka pësuar asnjë gol.
Kundërshtarët sigurisht nuk kanë qenë të nivelit më të lartë, por sinjalet e dhëna janë pozitive. Edhe zëvendësimet patën ndikim të mirë në lojë, përfshirë edhe të rinjtë, me Oboavoduon që vulosi ndeshjen pas asistit të Adzhiçit.
