Kurti: Trysnia e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, jetike për zbardhjen e

0%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shtunën () ka vizituar vendin ku po zhvillohen gërmime në varrezën masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Kurti bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, dhe udhëheqësin e njësisë së këtij komisioni, Kushtrim Gara, kanë parë nga afër procesin e gërmimeve dhe ekshumimit. Sipas tij, gjatë kohës sa ndodheshin në lokacion janë zbuluar mbetje mortore.

“Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas luftës, e vërteta të cilën Serbia u përpoq ta fshihte e zhdukte, përveçse ta mohonte, po bërtet dhe po del në pah”- ka shkruar Kurti në rrjete sociale. Ai ka theksuar se për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është i domosdoshëm shtimi i presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Kurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisin trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar më në Bruksel.

Kurti ka kërkuar gjithashtu hapjen e menjëhershme të arkivave serbe, duke përmendur në veçanti arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë, dhe që sipas tij është klasifikuar nga shteti serb për 30 vjet.

Ai vlerësoi se hapja e këtyre arkivave do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të identifikimit të personave të zhdukur dhe do t’u jepte fund pritjes së gjatë të qindra familjeve që ende kërkojnë fatin e më të dashurve të tyre.

Në reagimin e tij, Kurti përmendi edhe arrestimet e fundit në Serbi të disa shtetasve serbë të akuzuar për spiunazh, të cilët, sipas tij, kanë dëshmuar para institucioneve ndërkombëtare për krimet e luftës në Kosovë.

“Këto veprime dëshmojnë se ky shtet jo që nuk është i interesuar për të vërtetën, drejtësinë e paqen, por përkundrazi e ndalon dhe burgos secilin që mendon në atë drejtim”- ka përfunduar Kurti. Për të pestën ditë radhazi po vazhdojnë gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël e Zubin Potokut ku dyshohet për varrezë masive. KALLXO.com mëson se dje () janë gjetur disa mbetje mortore.

Dyshohet se bëhet fjalë për “23 intelektualët” të cilët sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë. Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,500 persona.

Me 11 identifikimet që janë kryer në muajin mars 2025, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo