UEFA ashpërson përplasjen me Infantinon: Besimi është thyer, FIFA

0%

Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s ka hyrë në një fazë të re, pasi organi drejtues i futbollit evropian deklaroi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka humbur besimin e saj pas dështimit të projektit për përfshirjen e investimeve private në kompeticionet më të mëdha botërore. FIFA u detyrua ta tërhiqte planin pas kundërshtimeve të fuqishme nga konfederatat kontinentale.

UEFA kishte paralajmëruar se do t’i bojkotonte të gjitha garat e organizuara nga FIFA në rast se projekti do të vazhdonte. Plani parashihte krijimin e kompanisë komerciale “FIFA Forward Enterprise”, e cila do të menaxhonte kompeticione si Kupa e Botës dhe Botërori i Klubeve.

Përmes këtij modeli, FIFA synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë nga investitorët privatë, bazuar në një vlerësim prej rreth 20 miliardë dollarësh të kompanisë së re. Sipas propozimit, secila prej 211 federatave anëtare të FIFA-s do të përfitonte një pagesë të njëhershme prej 20 milionë dollarësh në fillim të vitit 2027.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fondet e ndara për federatat gjatë ciklit 2027–2030 po ashtu parashihej të rriteshin nga 8 në 20 milionë dollarë. Megjithatë, kundërshtimet e forta nga UEFA dhe konfederatat e tjera çuan në rrëzimin e plotë të projektit.

Në një reagim të ashpër, UEFA deklaroi se udhëheqja aktuale e FIFA-s “jo vetëm që ka humbur besimin e UEFA-s, por edhe të shumë pjesëtarëve të tjerë të familjes së futbollit”. Sipas organit evropian, Infantino ka shkelur premtimet e bëra kur mori drejtimin e FIFA-s në vitin 2016, kur ishte zotuar për transparencë dhe përdorimin e fondeve të organizatës në dobi të federatave anëtare.

“Marrëveshja e fshehtë, e errët dhe pa transparencë që u përpoq të impononte nuk kishte asgjë të përbashkët me transparencën”, thuhet në deklaratën e UEFA-s. UEFA theksoi se rezervat financiare të FIFA-s tashmë tejkalojnë pesë miliardë dollarë dhe, sipas saj, nuk kishte asnjë arsye për ndjekjen e një modeli të tillë privatizimi.

Organizata evropiane paralajmëroi se gjatë javëve të ardhshme do të bashkëpunojë me federatat anëtare dhe konfederatat e tjera për ta analizuar mënyrën se si është zhvilluar procesi dhe për t’u siguruar që një situatë e tillë “të mos ndodhë më kurrë”.

Ky zhvillim vlerësohet si një goditje e rëndë për Infantinon, i cili pritej të rikandidonte pa kundërshtar për një mandat të tretë dhe të fundit në krye të FIFA-s. Tensionet mes dy institucioneve ishin shfaqur edhe gjatë Kupës së Botës 2026, kur presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, bojkotoi finalen e turneut.

Në fund të deklaratës, UEFA e cilësoi tërheqjen e projektit si “një fitore për të gjithë futbollin”, por paralajmëroi se puna për rikthimin e besimit në FIFA sapo ka filluar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com