Kosova shkëlqen në Sarajevë, rrëmben gjashtë medalje në boks

0%

Kombëtarja e Kosovës në boks ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Mustafa Hajrulahovic – Talijan”, i cili u zhvillua nga 28 korriku deri më në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës. Boksierët kosovarë e përfunduan garën me gjithsej gjashtë medalje, duke dëshmuar edhe një herë progresin e këtij sporti në arenën ndërkombëtare.

Medaljen e artë për Kosovën e fitoi Taulant Jakupi në kategorinë deri në 85 kilogramë, ndërsa Riad Isufi siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë 55 kilogramë. Katër medalje të bronzta u fituan nga Bashkim Bajoku (55 kg), Erdi Aliu (65 kg), Ensar Badallaj (70 kg) dhe Flori Tarani (75 kg).

Në finalen e kategorisë 85 kilogramë, Taulant Jakupi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke e mposhtur bindshëm boksierin shqiptar Useid Nika me rezultat 5:0. Jakupi dominoi gjatë gjithë meçit, duke treguar nivel të lartë teknik, disiplinë taktike dhe vendosmëri në ring. Ndërkohë, Riad Isufi u përball në finalen e kategorisë 55 kilogramë me italianin Tommaso Orlando.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse nuk arriti fitoren, Isufi tregoi paraqitje të mirë dhe konfirmoi potencialin e tij si një nga boksierët e rinj më premtues të Kosovës. Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit, duke vlerësuar angazhimin dhe disiplinën e boksierëve gjatë gjithë turneut.

Në këtë garë, Kosovën e përfaqësoi me sukses edhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, i cili ishte pjesë e stafit të arbitrimit. Rezultati në Sarajevë përbën një tjetër dëshmi të rritjes së boksit kosovar dhe një motivim shtesë për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.

Burimi: Telegrafi