Lumir Abdixhiku hap derën për bisedime me LVV-në, a po zhbllokohet

0%

Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se, pas përfundimit të Kuvendit të Përgjithshëm të partisë, LDK-ja do t’i rikthehet diskutimeve për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Ai njoftoi se do të hiqet pezullimi i bisedimeve, duke theksuar se fillimisht do të zhvillohen diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje për harmonizimin e parimeve të përbashkëta, ndërsa vetëm më pas do të hapet tema e ndarjes së përgjegjësive dhe pozitave.

“Prej këtij momenti, unë heq çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për institucionet”, deklaroi Abdixhiku. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se një bashkëpunim i mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje mund të ndërtohet mbi tri parime themelore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Hazirit, kushti i parë është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, sipas parimit “ose për të gjitha, ose për asnjërën”. Parimi i dytë lidhet me agjendën shtetërore, politikat sektoriale dhe programin qeverisës, duke vlerësuar se interesi i Republikës duhet të jetë prioritet.

Parimi i tretë, sipas Hazirit, është ndarja e qartë e roleve dhe përgjegjësive mes partnerëve eventualë të koalicionit, përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë bashkëpunimi. “Ndarja e përgjegjësive duhet të bëhet me marrëveshje bashkëpunimi. Në të kundërtën, LDK shkakton procese”, u shpreh Haziri.

Balaj: Ado të mbizotërojë logjika e përjashtimit apo logjika e përgjegjësisë institucionale Analisti politik, Labinot Balaj, për “Bota sot” tha se rikonfirmimi i Abdixhikut mund të ketë qenë kusht i nevojshëm për ripozicionimin e LDK-së, por jo i mjaftueshëm për krijimin e institucioneve.

“Rikonfirmimi i Abdixhikut mund të ketë qenë kusht i nevojshëm për një ripozicionim politik të LDK-së, por nuk është kusht i mjaftueshëm për krijimin e institucioneve. Ajo që do ta përcaktojë këtë nuk është rezultati i votimit në Kuvend, por vendimi politik që do të merret pas tij: a do të mbizotërojë logjika e përjashtimit apo logjika e përgjegjësisë institucionale”, tha ai.

Labinot Balaj Sipas tij, LDK-ja mbetet e ndarë në dy rryma kryesore: njëra që mbështet Lumir Abdixhikun dhe tjetra e përfaqësuar nga figura si Abdulla Hoti, Arben Gashi e Hykmete Bajrami, të cilat kundërshtojnë një koalicion me LVV-në.

Ai vlerëson se, nëse ky qëndrim vazhdon, rikonfirmimi i Abdixhikut nuk garanton zhbllokimin e krizës institucionale, megjithëse mund të shënojë fillimin e një faze të re për LDK-në. “Tashmë dihet se brenda LDK-së bashkëjetojnë disa fraksione, por dy prej tyre spikasin më së shumti.

Njëri identifikohet me lidershipin e rikonfirmuar mbrëmë, përkatësisht me Lumir Abdixhikun, ndërsa tjetri lidhet me disa figura me peshë brenda partisë, si Abdulla Hoti, Arben Gashi, Hykmete Bajrami etj.

Në këtë sens, meqë figurat në fjalë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, procesi i kompletimit të institucioneve, përkatësisht zgjedhja e presidentes, i ekspozohet një rreziku real.

Nëse ky qëndrim mbizotëron edhe në vendimmarrjen e LDK-së pas Kuvendit, atëherë rikonfirmimi i Abdixhikut nuk mund të prodhojë domosdoshmërisht një zhbllokim të krizës institucionale. Andaj, rimandatimi i Abdixhikut në krye të drejtimit të partisë, në skenarin më optimist, mund të jetë prologu i një faze të re politike për LDK-në”, foli ai për “Bota sot”.

Rexhepi: Një koalicion LDK-LVV do të ishte një nga opsionet më të fuqishme për krijimin e institucioneve stabile Kurse, anëtari i Guxo, Agim Rexhepi, tha se rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut ia forcon legjitimitetin politik dhe pozitën në negociatat për formimin e institucioneve.

Agim Rexhepi Sipas tij, një koalicion LDK-LVV nuk është i garantuar, pasi varet nga programi qeverisës, ndarja e përgjegjësive dhe gatishmëria për kompromis. “Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së i jep atij legjitimitet më të fortë politik dhe e bën bashkëbiseduesin kryesor në çdo proces për formimin e institucioneve.

Ai hyn në negociata me një mandat të ripërtërirë nga partia, gjë që ia rrit hapësirën për të marrë vendime strategjike pa u përballur me të njëjtin presion të brendshëm që kishte më herët. Megjithatë, rikonfirmimi nuk do të thotë automatikisht se një koalicion mes LDK-së dhe LVV-së është i garantuar.

Një marrëveshje e tillë varet nga programi qeverisës, ndarja e përgjegjësive institucionale dhe gatishmëria e të dyja palëve për të bërë kompromis. Raportimet e fundit kanë folur për kontakte dhe madje për një dakordim në parim, por deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga palët”, shprehet ai për “Bota sot”.

Kurse, sa i përket ngërçit politik, Rexhepi tha se një koalicion LDK-LVV mbetet një opsion për krijimin e institucioneve stabile, nëse palët arrijnë të ndërtojnë besim dhe të pajtohen për çështjet kyçe shtetërore. “Sa i përket ngërçit politik, një koalicion LDK-LVV do të ishte një nga opsionet më të fuqishme për krijimin e institucioneve stabile.

Duke qenë dy subjektet me mbështetjen më të madhe elektorale, një bashkëpunim i tyre mund të siguronte shumicë më funksionale dhe të shmangte zgjedhjet e reja. Megjithatë, suksesin e një koalicioni të tillë do ta përcaktojë aftësia për të ndërtuar besim politik dhe për të arritur marrëveshje mbi çështjet kyçe shtetërore, e jo vetëm aritmetika parlamentare”, përfundoi ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot