Një anije turistike është ndëshkuar me masë administrative prej 400 mijë lekësh të rinj, pasi është konstatuar duke lëshuar muzikë me volum mbi normat e lejuara gjatë lundrimit pas mesnate në zonën bregdetare të Vlorës. Ndërhyrja e Policisë erdhi pas ankesave të qytetarëve për zhurmat e krijuara.
Shërbimet e rendit kanë kryer kontrolle në afërsi të zonës së Ujit të Ftohtë, në drejtim të Lungomares, ku konstatuan një mjet lundrues turistik që prishte qetësinë publike. Sipas Policisë, rreth orës , anija po lundronte nga zona e Ujit të Ftohtë drejt Portit të Vlorës, ndërsa muzika që lëshohej nga bordi ishte mbi nivelet e lejuara.
Për këtë rast, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, ku nisi procedimi penal për administratorin e anijes, shtetasin D. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, si dhe për kapitenin e saj, shtetasin V. P., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi si prova materiale një amplifikator dhe dy bokse audio.
Ndërkohë, ndaj subjektit u vendos edhe masë administrative në vlerën 400 mijë lekë të rinj.
