Kombëtarja e Kosovës në paravolejboll është rikthyer nga Turneu Ndërkombëtar “Nerulum Cup”, në Rotonda të Italisë me një sukses historik, duke u shpallur nënkampione pas humbjes në finale nga Italia me rezultat 3-0.
Gjatë rrugëtimit drejt finales, ekipi nga Kosova shënoi dy fitore të rëndësishme, duke triumfuar në takimin hapës ndaj Spanjës me rezultat 2-0, ndërsa në ndeshjen e dytë mposhti Anglinë me rezultat 2-1.
Sekretari i Federatës së Paravolejbollit të Kosovës, Gëzim Brahimi, në një intervistë të dhënë për KosovaPress, theksoi se pjesëmarrja në këtë turne ishte një përvojë e rëndësishme për ekipin, sidomos para debutimit në garat zyrtare evropiane.
Brahimi: Ishte një përvojë e jashtëzakonshme “Ishte një përvojë e jashtëzakonshme për neve pasi që ishte hera e parë që e sprovuam veten në një turne ndërkombëtar ku synimi jonë ishte që të përgatitemi sa më mirë edhe për gara zyrtare, pasi që në nëntor të këtij viti marrim pjesë për herë të parë në gara zyrtare. Marrim pjesë në Ligën e Bronztë të kombeve të paravolejbollit të Evropës.
Kështu që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë ne”, deklaroi Brahimi. Ai foli edhe për sfidat financiare të federatës, duke theksuar se përkrahja nga Ministria e Rinisë dhe Sportit është e rëndësishme, por jo e mjaftueshme për zhvillimin e këtij sporti.
Brahimi: Mbështetja financiare nuk po na mjafton “Financiarisht ne jemi përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, me një shumë të caktuar sikurse të gjitha federatat paralimpike të tjera të cilat janë. A mjaftojnë? Nuk mjaftojnë.
Ne kemi filluar, qysh në qershor e kemi organizuar turneun e parë ndërkombëtar në Kosovë, Prishtina Open 2026, që ka qenë dhe do të jetë vazhdimisht në kalendarin zyrtar të garave të Paravolej Evropës”, shtoi ai.
Sekretari i Federatës së Paravolejbollit të Kosovës, Gëzim Brahimi, bëri të ditur se Federata Italiane i ka ofruar mbështetje të plotë delegacionit të Kosovës gjatë qëndrimit në Rotonda. Sipas tij, ajo ka mbuluar të gjitha shpenzimet e akomodimit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në pjesëmarrjen e Kosovës në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Brahimi e vlerësoi këtë si një shembull të bashkëpunimit dhe mbështetjes që ndihmon në zhvillimin dhe promovimin e paravolejbollit. Njëri nga lojtarët e Kombëtares, Rexhep Ajeti, bart një histori të veçantë sakrifice dhe përkushtimi. Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, humbi gjymtyrën e tij gjatë asaj periudhe.
Sot, ai vazhdon jetën dhe karrierën sportive me ndihmën e një proteze. Me fanellën e Kosovës, Ajeti po shkruan një kapitull të ri, duke e përfaqësuar vendin e tij në arenën ndërkombëtare, ku e cilësoi vendin e dytë si një arritje me vlerë të madhe për Kosovën.
Ajeti: Mundësi për mua e dyta, e parë gjatë luftës, e dyta në fushë “Ky vendi i dytë për mua është shumë, për mua vlen shumë, shumë. Është një mundësi për mua e dyta për Kosovën. Mundësia e parë ka qenë gjatë luftës, tash është e dyta në fushë, që me e dërgu Kosovën përpara dhe me luftu, që me arrit me bë një kulm sa më të mirë, një vlerë ose një titull, që me ia dediku Kosovës.
Kështu që jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që pse jo dhe vendin e parë në turnetë e ardhshëm. Kemi kapacitet dhe mundemi”, u shpreh Ajeti. Ai theksoi se megjithëse Kosova ka vetëm katër vjet që po zhvillon paravolejbollin, ekipi arriti të rivalizojë dhe të mposhtë kombëtare me traditë.
Ajeti: Kemi buxhet më të vogël se kundërshtarët, po zemër kemi më shumë “Ne jemi sport në Kosovë që katër vite duke u zhvilluar, është viti i katër që tash ne jemi duke punuar, këto drejtime, këto fusha, po ata kanë punuar shumë më herët se ne.
Sidomos Spanja me sa di unë e ka me sa më kujtohet ka qenë edhe kampion dhe domethënë ne kemi arritur të mposhtim me një rezultat të pastër dy me zero. Britania e Madhe ka qenë ekip i mirë.
Na e mori setin e parë, nuk e di as unë si e mori, po ne me djemtë tonë, kënga, që ishte Mora fjalë, mora vargun e Adem Jasharit, ajo na ka dhënë motiv shumë të madh dhe e kemi kthyer rezultatin nga një me zero në dy me një. Dhe domethënë kemi shkuar drejt finales me Italinë.
Janë shtete që janë më të zhvilluara se ne kuptohet, ne jemi popull më i vogël, e kemi buxhet më të vogël se ata, po zemër kemi më shumë. Punojmë më shumë dhe e duam lojën me shpirt”, tha ai. Ndërkohë, kapiteni Skënder Krasniqi, i cili u shpall MVP i turneut, tha se çmimi individual merr vlerë edhe më të madhe për faktin se erdhi me fanellën e Kosovës.
Krasniqi: Më vjen mirë që ka qenë ekipa nga Kosova “Unë jam në sport nga shtatë apo tetë vite, këto stërvitje çka i bëj ndonjëherë, ndonjëkund i sheh, ndonjëkund s’i sheh, kështu është jeta dhe po më vjen mirë po jam mësuar se unë këtë e kam bërë edhe para, kam qenë në ndonjë turnir a ndonjëkund që kam qenë më i miri.
Më shumë po më vjen mirë që ka qenë kjo ekipa nga Kosova, tash unë i ri aty, normal po më vjen shumë mirë që munda ti ndihmojë”, deklaroi Krasniqi. Ky sukses i Kosovës në “Nerulum Cup” paraqet një hap të rëndësishëm në zhvillimin e paravolejbollit kosovar dhe një motivim shtesë për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
Kombëtarja tashmë synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm drejt garave zyrtare evropiane.
