Nga: Flaka Surroi Shpërndaje në: Tash e kuptoj, sado që nuk dua ta pajtohem, se përse na u deshën 27 vjet për t’i dokumentuar emrat e të vrarëve, të masakruarve e të zhdukurve gjatë luftës.
Sepse paturpësisht pushteti, fuqia dhe ambicia personale vendosen para gjithçkaje tjetër në këtë shoqëri të rasteve të humbura Thuajse 10 mijë ditë u deshën të kalonin që më në fund të dilej me një listë të konsoliduar dhe të dokumentuar të viktimave të luftës.
Pas 28 vjetësh që nga fillimi i luftës, më nuk do të duhet t’i qasemi listës së Fondit për të drejtën humanitare të Natasha Kandiqit, për të treguar se sa njerëz pësuan gjatë luftës në Kosovë. Sipas listës së formuar, e cila ende quhet preliminare, janë 11.407 persona të vrarë; 242 të vdekur si pasojë e luftës, 1.578 të zhdukur me dhunë.
Janë gjithsej 13.277 emra, prej të cilëve 12.230 vdiqën apo u zhdukën deri në qershor 1999 dhe 997 pas kësaj periudhe. Prej këtij numri, 1.241 ishin fëmijë. Ditën kur u mbajt konferenca ku u shpalosën shifrat ndjeva turp, si pjesëtare e një shoqërie që dëshmoi se me dekada nuk e pati prioritet vërtetimin e saktë të numrit të njerëzve që vdiqën në luftën Kosovës.
Me vite të tëra u luajt me Institutin… që herë hapej e herë mbyllej; herë përkrahej e herë injorohej – përderisa e kishte një detyrë të vetme: t’i gjente faktet e ta përcaktonte përfundimisht numrin e viktimave që e humbën jetën gjatë luftës.
Ndërkohë ne si shoqëri, kthenim kokën; solidarizoheshim ndonjë ditë në vit me viktimat e ndonjërës masakër dhe merreshim me politikë të lartë në komentet e vogla në rrjete sociale. Edhe Kolumne 6 dhj 2025 Fauna jonë Këtu, më mirë se askund tjetër, kemi dëshmuar se dashurinë për tokën dhe shtetin tonë e kemi mbase ndër të fundit prioritete.
Dhe krejt çka po jetojmë sidomos dy vjetët e fundit, e vulos fjalinë e përshkruar më lart. * * * Pardje u mbajt Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, në të cilën delegatët e kësaj partie vendosnin nëse e mbanin Lumir Abdixhikun kryetar ende, apo e shkarkonin.
Nuk kishte të paraparë asgjë tjetër në vijim, diçka si zgjedhja e u.d. kryetarit/kryetares, thirrja e zgjedhjeve të brendshme apo ndonjë gjë tjetër procedurale që do të dëshmonte megjithatë, një seriozitet funksionimi brenda partisë më të vjetër, aktive, të Kosovës. Nga 355 delegatë, 30 vendosën të mos jenë aty. Prej 325 delegatëve, 170 votuan në favor të Abdixhikut, kurse 152 kundër.
Në numra absolutë, Abdixhiku nuk i mori as 50% të votave të krejt delegatëve, duke e treguar atë që rezultati shumë i ngushtë dëshmoi që përçarja brenda LDK-së është përfundimisht shumë e madhe. Dhe nga përvojat e herëve të tjera në të kaluarën, edhe ky brez i politikanëve të LDK-së do të mund të përfundojë me një fraksion të dështuar. I largët është viti.
Më 1998, nëse nuk e kam gabim, fraksioni i parë me në krye Hydajet Hysenin e krijoi “LDK-në e re”. Pa fuqi, ky fraksion iu bashkua LBD-së së Rexhep Qosjës, subjekt politik që u shua në vitin 2000. Më 2004, do të dalë një grup i të pakënaqurish nga LDK-ja, me në krye Edita Tahirin. Kjo do ta formonte ADK-në, e cila si subjekt me shumë pak fuqi, zor se mund të mbijetonte.
U bë patericë e PDK-së, ndërkohë që vetes ia siguroi një post të lartë ekzekutiv – të zëvendëskryeministres dhe kryenegociatores. Më 2017 do të tërhiqej nga politika aktive, kurse ADK-ja nuk e besoj se ekziston tashmë. Më 2006 krisën karriget dhe partia u nda në dysh: në ata që e donin Fatmir Sejdiun dhe në ata që e donin Nexhat Dacin për kryetar e lider partie.
Hidhërimi shpërtheu me ndarje të nxituar dhe të rrufeshme që kulmoi me formimin e LDD-së. Në zgjedhjet e para që garoi, më 2007, i fitoi 10% të votave dhe pati 9 deputetë. Në zgjedhjet e radhës, nuk e kaloi pragun… mrizoi me vite dhe dikur më në fund, më 2015, u rikthye në LDK, tash të udhëhequr nga Isa Mustafa. LDD u shua.
Më 2020 – tashmë e dimë rrëfimin e shkarkimit të Vjosa Osmanit nga të gjitha pozitat në LDK dhe formimin e fraksionit GUXO, bashkë me “shoqen e luftës” Donika Gërvalla. Pa fuqi për të garuar vetëm, iu bashkua VV-së dhe ia mori LDK-së një numër shumë të madh votash, duke e hedhur LDK-në në vendin e tretë për nga pesha politike.
Kthim i Osmanit në LDK, më 2026, edhe pse kishte thënë “kurrë” (kurrë mos thuaj kurrë, e sidomos në politikë) dëshmoi se votat që i kishte mbledhur më 2021 kishin qenë, më parë rezultat inercie dhe përkrahjeje të VV-së që ka rrjet të gjerë aktivistësh në terren, sesa peshe politike. * * * Edhe Kolumne 29 kor 2026 Flamingoja e Partisë Më 2026, lehtë mund të ndodhë edhe një fraksion, i atyre që shihen si linja konservatore e LDK-së, pra të atyre që arritjet më të mëdha politike i patën në kohën kur Isa Mustafa e udhëhiqte partinë.
Dhe mbase për këtë fraksion nuk duhet pritur gjatë, po qe se procedurat e muajve në vijim nuk do të zbatohen sipas një deklarate të miratuar në Kuvendin e LDK-së ku anëtarësia, e posaçërisht trupat vendimmarrës në parti, dhe çka do të dalë kyç në fund, deputetët, “duhen vepruar sipas vendimit të shumicës”.
Nëse pas mbijetesës politike të Abdixhikut, deputetët e LDK-së nuk marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit/kryetares së shtetit, nëse për asgjë, atëherë për ta siguruar kuorumin, Kosova do të shkojë në zgjedhje sërish. Dhe kjo mund të përfundojë me fraksion të ri, dhe me dobësim të mëtejmë të LDK-së bazë. E fraksioni?
Pa para dhe përkrahje nëpër terren, zor se mund ta kalojë pragun vetëm. * * * Kuvendi i LDK-së e vërtetoi, nëse ende ka dyshim, se sa të kota ishin zgjedhjet e dhjetorit 2025-s e sidomos këto të qershorit të 2026-s.
Përderisa ato të dhjetorit ishin pasojë e bllokadës së dyanshme pushtet-opozitë deri në çastin kur në vend të një koalicioni, u shpërfaq “kokëfortësia parimore” e LDK-së (“nuk duam, nuk votojmë”), zgjedhjet e qershorit ishin bast i dështuar i LDK-së, e cila shpresonte se po rritej shumë, shumë me kthimin e Osmanit.
Ndërkohë, Osmani po e synonte edhe një mandat si kryetare e shtetit, tash nëpërmjet kapixhikut. Dhe, rezultati i gjithë kësaj është se për LDK-në kjo është tash e treta e vërteta, për t’u futur në koalicion me VV-në; për t’i siguruar disa ministri, mbase edhe postin e kryetarit/kryetares së Kuvendit dhe për të pretenduar bile ndonjë muaj, se Kosova më në fund e arrin një stabilitet politik, pa frikën se do të shkojë në zgjedhje sërish.
Tash që ka interesim brenda LDK-së për t’u bërë pjesë e qeverisë, ajo që përsëritej zëshëm kur doli aktgjykimi i Kushtetueses për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit (se deputetët askush nuk mund t’i obligojë të rrinë në sallë apo edhe të votojnë për shkak se mandati është individual), del se mund të kontestohet.
Dhe që në fakt “nëse shumica në parti vendos se duhet votuar, atëherë duhet votuar”. E ku mbeti tash mandati individual? Po get është humbur rrugës prej mbas zgjedhjeve. E në fakt, atë që e thotë Kushtetuesja në aktgjykimin e saj është se deputetët duhen vepruar në interesin më të mirë të popullit të cilin e përfaqësojnë.
Por për fat të keq, ky formulim është vetëm një dëshirë e vulosur në një dokument që secili e shkel si ia ka ënda dhe e interpreton si ka qejf, varësisht se si e imponon çasti. * * * Përderisa i shkruaj dhe i rikujtoj çastet sikur këto dhe plot të tjera ku një popull i tërë u mbajt peng i interesave tepër të ngushtë të ndonjë grupi a ndonjë individi, e kuptoj, sado që nuk dua ta pajtohem, se përse na u deshën 27 vjet për t’i dokumentuar emrat e të vrarëve, të masakruarve e të zhdukurve gjatë luftës.
Edhe Kolumne 27 kor 2026 Mbi “lajmet e rreme”, “pseudonimet” dhe “burimet anonime” Sepse paturpësisht pushteti, fuqia dhe ambicia personale vendosen para gjithçkaje tjetër në këtë shoqëri të rasteve të humbura. [email protected]
