Shpërndaje në: Koha kur në Kosovë kanë operuar ciceronë pa licenca përfundon prej sot, ka qenë një kërkesë e kahershme që nis të rregullohet tek tash, por një çështje si kjo s’i ka shpëtuar politizimit në Serbi. Për Kishën Ortodokse Serbe ky rregull nuk mund të vlejë për besimtarët që vizitojnë kishat e manastiret, përmend edhe autonominë e garantuar me Kushtetutë e me Pakon e Ahtisaarit.
Shpërndarja e fletushkave nga autoritetet e Kosovës për çështjen e licencimit, ka mjaftuar që nëpër mediat serbe të bëhen varg historianë e të tjerë që krejt këtij procesi i japin konotacion politik Nëse prej sot, institucionet kompetente “takojnë” në terren një ciceron pa licencë nga institucionet e vendit, ajo që e pret është gjoba.
Ky është vendimi që më në fund rregullon një situatë kaotike në këtë fushë, por paralajmërimet se prej ditës së parë të gushtit s’ka më udhërrëfyes të palicencuar, tashmë kanë çuar pluhur. Ka reaguar edhe Kisha Ortodokse Serbe, jo pak media serbe e historianë i kanë dhënë zjarr duke e politizuar këtë çështje deri në masën sa ta cilësojnë si tentim për dëbimin e serbëve nga Kosova.
Në ditën e dhjetë të korrikut, pas kërkesave shumëvjeçare për rregullimin e profesionit të udhërrëfyesve turistikë, 12 licenca zyrtare ishin dhënë për herë të parë nga shteti.
Operatorët turistikë dhe vetë udhërrëfyesit kishin ngritur shqetësimin se mungesa e një sistemi licencimi kishte lënë hapësirë për udhërrëfyes të palicencuar, të cilët jo rrallë kishin interpretuar historinë, trashëgiminë kulturore dhe identitetin e Kosovës sipas këndvështrimeve të tyre.
Pak ditë më vonë u bë e ditur se 1 gushti është afati i fundit kur nuk do të lejohen udhërrëfyes pa këtë licencë, përderisa procesi i licencimit është i hapur. Por KOS-i kërkon tjetër gjë. Thotë se ky rregull nuk mund të vlejë për besimtarët që vizitojnë kishat e manastiret, përmend edhe autonominë e garantuar me Kushtetutë e me Pakon e Ahtisaarit.
Shpërndarja e fletushkave nga autoritetet e Kosovës për çështjen e licencimit, ka mjaftuar që nëpër mediat serbe të bëhen varg historianë e të tjerë që krejt këtij procesi i japin konotacion politik. “Prapa vendimit për udhërrëfyes të licencuar fshihet frika nga ardhja e serbëve në vendet e shenjta”, ka thënë Zhivojin Rakoçeviq, drejtor i qendrës për kulturë në Graçanicë.
“Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka marrë njoftime nga grupet e pelegrinëve që po kthehen nga vizitat në faltoret tona në Kosovë dhe Metohi, se Policia e Kosovës u ka shpërndarë fletëpalosje me njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit lidhur me zbatimin e Ligjit për turizëm, i cili hyn në fuqi më ”.
Personat që ushtrojnë profesionalisht detyrën e udhërrëfyesit turistik dhe udhëheqin grupe të organizuara për qëllime turistike duhet të posedojnë licencën përkatëse, ndërsa grupet e organizuara që vijnë me një udhërrëfyes të huaj pa licencë të Kosovës duhet që gjatë qëndrimit të shoqërohen nga një udhërrëfyes lokal i licencuar në Kosovë, me paralajmërimin për gjoba në rast të mosrespektimit të këtyre rregullave”, thuhet në komunikatën e Dioqezës.
Po aty shkruhet se “në disa media është shprehur shqetësimi se grupet e organizuara të pelegrinëve me besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe nuk do të mund t’i vizitojnë më manastiret pa i plotësuar kushtet e përmendura që lidhen me udhërrëfyesit turistikë të licencuar nga Prishtina”.
Edhe Kulturë 23 pri 2026 Rexhep Qosja – iluministi i mendimit dhe i letrave shqipe “Duke pasur parasysh se këto pretendime kanë shkaktuar shqetësim të arsyeshëm te besimtarët, është e domosdoshme të bëhet dallimi i qartë midis veprimtarisë turistike komerciale dhe udhëtimeve fetare të pelegrinazhit, si një nga mënyrat kryesore të ushtrimit të lirisë së besimit.
Manastiret e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Metohi janë, para së gjithash, faltore të gjalla, vende adhurimi, lutjeje dhe jete murgjish.
Shumica dërrmuese e vizitorëve nuk vijnë në këto faltore si turistë, por si pelegrinë që dëshirojnë të marrin pjesë në shërbesat fetare, të përulen para relikteve të shenjta, të kërkojnë këshilla shpirtërore dhe të vizitojnë manastiret si pjesë e jetës së tyre fetare”, thuhet në komunikatën e Dioqezës.
Liria e besimit, siç shtohet në njoftim, përfshin drejtpërdrejt edhe të drejtën e besimtarëve që të vizitojnë lirisht faltoret e tyre, të marrin pjesë në shërbesa fetare dhe të organizojnë udhëtime pelegrinazhi. Pastaj përmendet edhe Kushtetuta e Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për lirinë e besimit përmbajnë garanci të veçanta për bashkësitë fetare, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, mbrojnë pozitën e saj dhe garantojnë shprehimisht qasjen e lirë të pelegrinëve dhe vizitorëve të tjerë në objektet fetare.
Dioqeza nuk e vë në dyshim të drejtën e institucioneve kompetente që, në kuadër të legjislacionit në fuqi, të rregullojnë ushtrimin profesional të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë dhe shërbimet turistike komerciale.
Megjithatë, rregullimi i shërbimeve turistike komerciale nuk mund të interpretohet në mënyrë që udhëtimet fetare të pelegrinazhit, të shoqëruara nga udhëheqja baritore e besimtarëve, pjesëmarrja në shërbesat fetare dhe jeta e zakonshme fetare e manastireve, të barazohen me ofrimin profesional të shërbimeve turistike”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se asnjë interpretim i rregullave turistike “nuk mund ta kufizojë të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe për të rregulluar në mënyrë të pavarur jetën fetare në manastiret e saj, as të ndërhyjë në kompetencat e saj lidhur me shërbesat fetare, veprimtarinë baritore, mësimin shpirtëror dhe paraqitjen e trashëgimisë së saj shpirtërore, historike dhe kulturore, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për lirinë e besimit dhe të drejtat që Kisha Ortodokse Serbe i gëzon sipas Aneksit V të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Plani i Ahtisaarit)”.
“Për shkak të urgjencës dhe për të shmangur keqkuptimet e panevojshme dhe problemet praktike gjatë ardhjes së grupeve të pelegrinëve në Kosovë dhe Metohi, Dioqeza rekomandon që grupet e organizuara kishtare, kurdo që është e mundur, të udhëtojnë të shoqëruara nga një prift ose një murg apo murgeshë, i cili do të jetë udhëheqësi shpirtëror dhe kishtar i grupit.
Roli i tyre duhet të jetë baritor dhe liturgjik, e jo ai i një udhërrëfyesi profesional turistik. Është e dëshirueshme që grupet të kenë me vete edhe një vërtetim përkatës nga famullia, manastiri ose Dioqeza për karakterin fetar të udhëtimit dhe statusin e personit që udhëheq shpirtërisht grupin”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Qysh në mesin e korrikut, ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kishte thënë për KOHËN se po përgatiteshin udhëzimet dhe mekanizmat institucionalë që do ta bëjnë të zbatueshëm ligjin dhe do të mundësojnë monitorimin e rasteve të shkeljeve. “Tash do të dalin disa udhëzime prej Policisë e Inspektoratit.
Krejt mekanizmat do të aktivizohen dhe do të dalin edhe të dhëna tutje për vetëdijesim. Ka monitorim, udhërrëfyesit e huaj nuk mund të hyjnë pa i respektuar rregullat që i kemi të respektuara dhe pa kontakt të udhërrëfyesve tanë të licencuar”, kishte thënë Bogujevci në një përgjigje telefonike për KOHËN.
Sipas saj, institucionet kanë pranuar raportime të ndryshme për mënyrën se si është prezantuar Kosova nga udhërrëfyes të huaj, e kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për rregullimin ligjor të kësaj fushe. “Për ne ka qenë shumë me rëndësi të rregullohet dhe të hyjë në fuqi ligji të cilin e kemi pasur të aprovuar. Është një hap shumë i rëndësishëm që është bërë licencimi i udhërrëfyesve.
Tash e kemi një mekanizëm të ndërtuar që në të njëjtën kohë shërben edhe për pjesën e monitorimit dhe raportimit të rasteve kur ka udhërrëfyes, qoftë përbrenda, qoftë të huaj, të cilët e shtrembërojnë historinë tonë”, kishte thënë ajo. Enes Toska është njëri prej 12 ciceronëve të parë të licencuar në ceremoninë e 10 korrikut në Muzeun Etnologjik në Prishtinë.
Licencimin e ka cilësuar si hap pozitiv teksa ka folur edhe për masat prej 1 gushtit. “Në Kosovë tashmë prej 1 gushtit, ministria me këtë rregullore do të fillojë edhe të japë dënime ose gjoba për të gjithë operatorët turistikë.
Gjobat janë në dy nivele: qoftë për kompanitë ose tur-operatorët e huaj, edhe për personat ose individët që japin shërbime pa leje ose pa licencë nga shteti ynë”, ka thënë Toska, në emisionin e Kohavisionit “383” me Rajmonda Zhdrellën. Ka komentuar edhe rastin e Serbisë dhe reagimin e KOS-it. “Kemi raste të dokumentuara me video ku e shtrembërojnë historinë.
Te rasti i Serbisë kemi një raport të ndjeshëm politik. Kisha Ortodokse para disa ditësh ka lëshuar një deklaratë ku e ngre këtë çështje, sepse po pretendojnë që ky kontroll mbi guidat po e kufizon jetën ose vizitën në vendet e shenjta. Por udhërrëfyesi, nëse është edhe në muze, në kishë apo manastir, duhet ta ketë licencën e Kosovës.
Turistët vijnë me motivacione të ndryshme, dikush viziton një manastir, dikush Prizrenin, por nëse vjen një grup i organizuar me autobus, ata llogariten si turistë dhe duhet t’i respektojnë rregullat”, ka thënë ai. Çështja e guidës nuk është punë zgjedhjeje. “Jo, sepse thuhet në ligj që tur-operatorët, agjencitë turistike janë të obliguara me angazhu një guidë lokale”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, më 24 qershor kishte hapur thirrjen për aplikim për licencim të udhërrëfyesve. Në njoftim shkruhej se janë ftuar të gjithë personat që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e udhërrëfyesit turistik. Thirrja shkruhej të jetë bazuar edhe në Ligjin për turizmin të miratuar më 2022, i cili e përcakton çështjen e udhërrëfyesit turistikë.
Edhe Kulturë 8 o. më parë Katy Perry e çon Kosovën në “hapësirë” “Për ushtrimin e veprimtarisë, udhërrëfyesi turistik duhet t’i plotësojë këto kushte: të ketë kualifikim universitar ose profesional për udhërrëfyes turistik apo në fushën e turizmit, të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje; të ketë njohuri dhe të ushtrojë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në pajtim me kodin e etikës, të ketë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik”, shkruhet ndër të tjera në nenin 29.
Neni 30 e përcakton se “për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, kandidati duhet të bëhet pjesë e Regjistrit të Turizmit”. Prej vitesh, mungesa e licencimit ishte parë si një nga boshllëqet më të mëdha të sektorit.
Përfaqësues të industrisë së turizmit kanë argumentuar vazhdimisht se një vend që synon të ndërtojë reputacion si destinacion kulturor dhe turistik duhet të garantojë se historia e tij prezantohet nga profesionistë të trajnuar dhe të autorizuar.
