Shpërndaje në: Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Sërgjan Lazoviqit, të akuzuar për krime lufte. Lazoviq në shkurt sivjet ishte dënuar me 12 vjet e gjysmë burgim për krime lufte në Panorc të Malishevës. Ai akuzohej se si pjesëtar i xhandarmërisë serbe kishte kryer keqtrajtim të rreth 500 civilëve, me qëllim të dëbimit dhe spastrimit etnik të popullsisë shqiptare.
Në një njoftim për media të premten, Apeli ka konfirmuar se e ka anuluar aktgjykimin e Themelores në Prishtinë. Në arsyetim, Apeli ka thënë se aktgjykimi i Themelores ka pasur shkelje esenciale.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ndonëse gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte administruar një numër të konsiderueshëm provash materiale, nuk i ka trajtuar fare ato në arsyetimin e aktgjykimit, nuk ka bërë vlerësimin e tyre, nuk ka dhënë arsye lidhur me vlerën e tyre provuese dhe nuk ka nxjerrë përfundime për rëndësinë e tyre në vërtetimin e gjendjes faktike.
Veçanërisht, nuk ka trajtuar raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe dy raportet e ekspertëve të huaj që lidhen drejtpërdrejt me identifikimin e të akuzuarit, duke mos dhënë asnjë arsye nëse gjetjet e tyre janë pranuar apo refuzuar dhe mbi çfarë baze”, thuhet në njoftim. Ndaj Lazoviqit aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më .
Ai akuzohej për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në disa fshatra të Komunës së Malishevës.
