Ekspertët paralajmërojnë: Ngërçi institucional po rrezikon ekonominë,

0%

Kriza institucionale po vazhdon të ngjallë shqetësime për pasojat që mund të ketë në zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, mungesa e institucioneve të plota po dëmton klimën e investimeve, po krijon pasiguri për bizneset dhe po rrezikon shfrytëzimin e fondeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian për reforma dhe zhvillim.

Vlerësohet se, ndonëse sektori privat mund të përfitojë nga një stabilitet më i madh ligjor në mungesë të ndryshimeve të shpeshta të rregullave, projektet publike, investimet infrastrukturore dhe reformat strategjike po përballen me vonesa të konsiderueshme.

Po ashtu, theksohet se zgjatja e bllokadës institucionale krijon vakum në funksionimin e shtetit, duke rritur rreziqet për sigurinë dhe dobësuar kontrollin demokratik. Sipas ekspertëve, institucionet funksionale mbeten kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e shtetit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Bellaqa, thotë se kriza institucionale po largon investitorët e huaj, po dëmton ambientin e të bërit biznes dhe po rrezikon zbatimin e reformave ekonomike Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, vlerëson për ‘Bota sot’, se mungesa e institucioneve të plota në Kosovë po prodhon pasoja serioze për ekonominë e vendit.

“Mungesa e institucioneve të plota në Kosovë po shkakton pasoja politike dhe ekonomike. Destabiliteti politik ndikon drejtpërdrejt edhe në destabilitetin ekonomik, duke përkeqësuar ambientin e të bërit biznes, treguesit makroekonomikë dhe makrofiskalë, si dhe duke dekurajuar investitorët e huaj në sektorët strategjikë të ekonomisë”, deklaron Bellaqa.

Sipas tij, kjo situatë ndikon negativisht në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. “Kur mungojnë institucionet funksionale, ato nuk mund të jenë efikase në nivelin më të lartë. Kjo reflektohet në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve”, shprehet ai.

Bellaqa paralajmëron se Kosova mund të humbasë një mundësi të rëndësishme financiare nga Bashkimi Evropian. “Ekziston rreziku që Kosova të mos i shfrytëzojë kreditë e Bashkimit Evropian në vlerë mbi 800 milionë euro, të destinuara për Planin e Rritjes, të cilat janë të dedikuara për reforma strukturore ekonomike dhe për administratën publike” , thekson ai.

Ai shton se pa institucione stabile dhe funksionale, integrimi ekonomik i Kosovës mbetet i vështirë. “Pa institucione stabile dhe të plota, ekonomia nuk mund të integrohet në tregun rajonal dhe atë evropian. Investitorët e huaj hezitojnë të lidhin kontrata afatmesme dhe afatgjata, sepse e vlerësojnë Kosovën si një vend me paqëndrueshmëri ekonomike dhe pasiguri juridike” , deklaron Bellaqa.

Sipas tij, pasojat shtrihen edhe në tregun e punës. “Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e Bruto Produktit Vendor dhe krijon paqëndrueshmëri në tregun e punës, duke prekur veçanërisht gjeneratat e reja, të cilat ende nuk janë mjaftueshëm të përgatitura për kërkesat e tregut të punës”, përfundon eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.

“Sektori privat nuk është domosdoshmërisht humbësi më i madh nga kriza institucionale, ndërsa projektet shtetërore, siguria dhe funksionimi demokratik janë ato që paguajnë çmimin më të lartë” Deputeti shqiptar në Bernë të Zvicrës Korab Rashiti Ndërsa, deputeti shqiptar në Bernë të Zvicrës Korab Rashiti, vlerëson se ndikimi i mungesës së institucioneve të plota duhet parë duke bërë dallimin mes ekonomisë private dhe funksionimit të shtetit.

“Nëse e analizojmë situatën me gjakftohtësi, duhet të dallojmë ekonominë private nga funksionimi i shtetit. Për sa i përket ekonomisë private, nuk jam i bindur se mungesa e institucioneve të plota sjell domosdoshmërisht pasoja negative. Përkundrazi, kur Parlamenti nuk prodhon vazhdimisht ligje dhe rregullore të reja, krijohet një stabilitet më i madh juridik.

Bizneset kanë nevojë mbi të gjitha për parashikueshmëri. Kur rregullat nuk ndryshojnë çdo muaj, sipërmarrësit investojnë dhe planifikojnë më lehtë”, deklaron Rashiti për ‘Bota sot’. Ai shton se zhvillimi ekonomik nuk varet nga numri i ligjeve të miratuara.

“Ndonjëherë politika sillet sikur zhvillimi ekonomik varet nga numri i ligjeve të miratuara, ndërsa në realitet pasuria krijohet nga qytetarët dhe bizneset, jo nga sallat e Parlamentit”, thotë ai. Megjithatë, sipas Rashitit, situata është krejtësisht ndryshe kur bëhet fjalë për funksionimin e shtetit.

“Projektet publike, investimet infrastrukturore dhe reformat strategjike kërkojnë institucione funksionale. Pas më shumë se dy vitesh bllokadë politike, shumë projekte janë shtyrë dhe është e arsyeshme të pritet që një pjesë e tyre të kenë vonesa shumëvjeçare. Koha e humbur në politikë paguhet më vonë nga administrata dhe qytetarët” , thekson ai.

Sipas tij, nëse situata do të përmblidhej me një fjali, dallimi është i qartë. “Sektori privat mund të përfitojë nga një mjedis më i qëndrueshëm ligjor kur politika nuk ndryshon rregullat pa pushim, ndërsa projektet shtetërore janë ato që e paguajnë çmimin e ngërçit institucional” , shprehet Rashiti.

Ai paralajmëron se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me ekonominë, por edhe me sigurinë dhe funksionimin e institucioneve. “Institucionet që funksionojnë me gjysmë kapacitet për një periudhë të gjatë krijojnë një vakum institucional. Historia na mëson se vakumet nuk mbeten kurrë bosh.

Në momente të tilla, aktorë të ndryshëm, të brendshëm apo të jashtëm, mund të zgjerojnë ndikimin e tyre mbi institucionet dhe shoqërinë. Prandaj funksionimi normal i shtetit është thelbësor, jo për të prodhuar sa më shumë ligje, por për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit”, deklaron ai. Në fund, Rashiti kritikon klasën politike për zgjatjen e krizës institucionale.

“Ekonomia vazhdon të ecë edhe kur politikanët ndalen. Bizneset hapin dyert çdo mëngjes, punëtorët shkojnë në punë, sipërmarrësit marrin rreziqe dhe qytetarët krijojnë vlerë, ndërsa klasa politike vazhdon të debatojë se kush do të ulet në cilën karrige” , thotë ai. Sipas Rashitit, problemi i Kosovës nuk është mungesa e politikës, por mungesa e qeverisjes.

“Ndoshta problemi i Kosovës nuk është se ka pasur shumë pak politikë gjatë këtyre viteve. Ndoshta problemi është se ka pasur tepër politikë dhe shumë pak qeverisje. Shtetet nuk ecin përpara nga numri i deklaratave apo i krizave të fabrikuara, por nga institucione që funksionojnë dhe qytetarë që lihen të punojnë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, thekson ai.

Duke folur për situatën aktuale politike, Rashiti ngre edhe një dilemë. “Ndoshta kjo situatë i konvenon Kryeministrit në detyrë. Të qeverisësh pa një Parlament plotësisht funksional dhe pa mbikëqyrjen e vazhdueshme të komisioneve parlamentare është politikisht më komode sesa të japësh llogari çdo ditë. Por pikërisht këtu qëndron problemi.

Në një demokraci serioze, pushteti nuk duhet të ndihet kurrë rehat pa kontroll institucional. Kur një qeveri mësohet të qeverisë pa mbikëqyrje, nuk është më opozita që humbet – është demokracia” , përfundon Rashiti.

Burimi: Bota Sot