Shpërndaje në: Pas takimit të përfaqësuesve partiakë për përgatitjen e seancës konstituive të legjislaturës së re, LVV-ja dhe LDK-ja kanë dhënë sinjale për vazhdimin e negociatave dhe mundësinë e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Të dyja partitë kanë shprehur gatishmëri për të negociuar, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre të mëhershme Sinjale për mundësinë e një marrëveshjeje për institucionet, mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike (LDK), janë dhënë të premten, pas takimit që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka zhvilluar me përfaqësues të subjekteve politike, me qëllim të përgatitjes së seancës konstituive të legjislaturës XI, e thirrur për datën 6 gusht.
Albulena Haxhiu, të cilën LVV-ja pritet ta propozojë edhe për mandatin e ri kryetare të Kuvendit, ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të LDK-së, i mbajtur një ditë më parë, për të mos e shkarkuar nga pozita e kryetarit Lumir Abdixhikun, i cili pas takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, pati folur me optimizëm për mundësinë e marrëveshjes.
Abdixhiku i pati pezulluar takimet me Kurtin, pas nismës në LDK për ta shkarkuar. E, Haxhiu ka thënë se mbijetimi i votëbesimit është zhvillim që mundëson vazhdimin e takimeve. “Është lajm i mirë që tashmë, kemi pasur një mbledhje të LDK-së dje.
Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së. Sigurisht që nuk është në mandatin tim as në përgjegjësitë e mia, sidomos jo në cilësinë që jam që të flas për atë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë”, ka thënë Haxhiu. “Pra, ato të fillojnë dhe të mbahen”.
Edhe Arbëri 26 gus 2025 Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit, konstituimi peng i një nënkryetari KOHA ka raportuar se në parim, Kurti e Abdixhiku janë pajtuar për koalicion, kundër të cilit janë disa prej deputetëve të LDK-së.
E, në Kuvendin e kësaj partie, përpos që delegatët nuk e miratuan nismën për shkarkimin e Abdixhikut, ata votuan edhe një deklaratë, e cila i obligon të gjithë zyrtarët, deputetët dhe përfaqësuesit e kësaj partie t’i zbatojnë vendimet e organeve kompetente, ndërsa parasheh masa statutare për ata që veprojnë në kundërshtim me to.
Ajo ua ndalon kundërshtimin publik të qëndrimeve zyrtare pas përfundimit të procesit vendimmarrës. Në këtë dokument, LDK-ja e përcakton si prioritet funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, që do të imponoheshin nëse nuk zgjedhet presidenti i shtetit brenda 60 ditësh prej konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit.
Haxhiu ka thënë se duhet të ketë përpjekje maksimale e seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit. “Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.
Në takimin e thirrur nga Haxhiu, LVV-ja është përfaqësuar nga Arbërie Nagavci, e cila në legjislaturën jetëshkurtër të Kuvendit ishte shefe e grupit parlamentar të kësaj partie. Ajo tha se lidershipi i partisë fituese ka gatishmërinë për të vazhduar dialogun politik, dhe e cilësoi hap pozitiv edhe gatishmërinë e LDK-së për të vazhduar këtë proces.
“Pas rikonfirmimit të gjetjes së kësaj, pra vazhdimit të punës së tij si kryetar i LDK-së, ai (Abdixhiku v.j.) deklaroi që ka marrë autorizimin nga Kuvendi për të vazhduar me bisedimet me kryeministrin Kurti.
Ne natyrisht se e mirëpresim këtë vendim të Kuvendit dhe shpresojmë që të vazhdojmë diskutimet dhe dakordimin, sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë punën në të gjitha institucionet me mandatet e përcaktuara”, ka thënë Nagavci. Megjithatë, ajo nuk qe në gjendje të thonë nëse gjatë së premtes do të ketë një takim të drejtpërdrejtë mes krerëve të këtyre dy partive.
“Kjo çështje vendoset mes kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së”, ka thënë Nagavci. Mirëpo, kurdo që bëhet ftesa për këtë takim, LDK-ja është e gatshme të përgjigjet pozitivisht dhe të punojnë drejt rrugës që çon në formimin e institucioneve, ka thënë deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, që përfaqësoi këtë parti në takimin e ftuar nga Haxhiu.
“Sapo të kemi një takim, do të kemi dialog edhe marrëveshje eventuale nëse do të ketë hapësirë për marrëveshje të tillë. Në fakt, çdo partneritet në mes partive politike ndërtohet mbi bazën e parimeve bazë.
Sepse secila parti ka kaluar me një program dhe me disa parime bazë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.“Jemi parti që qartësisht jemi të orientuar nga Perëndimi, i kemi vlerat tona bazike që dëshirojmë t’i imponojmë në çdo marrëveshje dhe në çdo krijim partneriteti. Dialogu mbi partneritetin dhe mbi një marrëveshje eventuale ndërtohet mbi parime edhe mbi pozitat, por fillimisht mbi parimet.
Kah duam t’i orientojmë objektivat e programit tonë e pozitat janë çështje e dorës së tretë”. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kurti ftoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, për të folur mbi procesin e konstituimit të institucioneve. Por, pas takimit, Hamza tha se partia të cilën e drejton do të mbetet në opozitë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, që mori pjesë në takimin e përfaqësuesve partiak, rikonfirmoi këtë qëndrim. Ajo ka theksuar se pavarësisht gatishmërisë për konstituimin e institucioneve, distancat e bashkëpunimit politik me LVV-në mbeten të mëdha. “PDK-ja ka një pozicion të qartë politik.
Ne do të jemi në opozitë, por njëkohësisht jemi të interesuar që institucionet e Kosovës të krijohen sa më parë, në mënyrë që të fillojmë adresimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Çitaku. “Jemi vjet dritë larg me Lëvizjen Vetëvendosje dhe shohim fare pak hapësirë për bashkëpunim. Këtë qëndrim e kemi bërë të qartë.
Mirëpo, kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por jo në qeverisje”. Kurti e pati ftuar në takim edhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e refuzoi.
Gjini shprehu zotimin që deputetët e partisë që përfaqëson të participojnë në vendimmarrjen për institucionet, me kushtin që qeveria e re t’i adresojë një listë çështjesh – nga partneriteti me SHBA-në deri te buxheti për kryeqytetin. Pas takimit të së premtes në takimin për përgatitjen e seancës konstituive, nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, foli edhe për kërkesat.
“Nëse s’merren parasysh kërkesat tona, ne s’bëhemi vegël. Ne u bëmë parti e respektuar, prej një partie që s’ftohej në takime”, ka theksuar Tahiri. Edhe Arbëri 19 nën 2025 PDK, LDK, AAK e Nisma: S’ka votë as për buxhet, as për Qeveri Ai shtroi nevojën që në procesin e ngritjes së institucioneve të reja, të mos krijohen vonesa.
“Nuk duhet bërë lojëra dhe të shtyhet konstituimin më larg se me datën 7 gusht. Çfarëdo tendence për interpretim, e cila ndërlidhet me një afat kohor shtesë prej 1 muaji, veçse e dëmton Kosovën dhe, mbi të gjitha, e konfirmon qëndrimin tonë politik se i gjithë ky proces i zgjatjes dhe stërzgjatjes ka qëllime zgjedhore, që ndërlidhen edhe me një cikël tjetër”, ka thënë Tahiri.
Edhe Çitaku ka kërkuar respektimin e plotë të kornizës ligjore, Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit. E, në njoftimin e Kuvendit për takimin, është thënë se kryeparlamentarja Haxhiu ua bëri të ditur përfaqësuesve të subjekteve politike agjendën e seancës konstituive.
“Konform rregullores, pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve”, thuhet në njoftim.
“Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi (KDTP)”. Në njoftim është theksuar se kryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht LVV-ja, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.
Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, PDK-ja, ndërsa në anën e majtë LDK-ja. Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës, ata nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.
“Në këtë mbledhje kryetarja Haxhiu njoftoi përfaqësuesit e subjekteve politike me procesin e regjistrimit të deputetëve, i cili do të realizohet më 3, 4 dhe 5 gusht”, thuhet në njoftim. Afati i 7 gushtit për konstituimin e Kuvendit buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.
Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”.
Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. E rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është bërë më 8 korrik.
“Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”, thuhet në aktgjykim.
“Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditësh nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë.
Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit. Këto përfshijnë: (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre (iii) zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Thënë këtë, Gjykata rithekson që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar”.
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u patën certifikuar më 27 mars, seanca për konstituim nisi më 15 prill – e kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën tek më 26 gusht – 152 ditë nga certifikimi.
Por, gjatë kësaj periudhe Kushtetuesja kishte shpallur dy aktgjykime ku pjesën më të madhe të seancave e kishte shpallur të pavlefshme dhe sipas Kushtetueses afati 30- ditor nuk ishte tejkaluar. Vetëvendosja ka siguruar 53 mandate. Bashkë me deputetë nga radhët e komuniteteve, ajo ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin e edhe qeverinë.
Ndërkaq, për zgjedhjen e presidentit kërkohet që së paku 80 deputetë të marrin pjesë në votim në dy rundet e para. LDK-ja ka siguruar 18 ulëse në Kuvend.
Edhe Arbëri 18 nën 2025 PDK, LDK, AAK e Nisma: S’ka votë as për buxhet, as për Qeveri Bazuar në interpretimin nga Gjykata Kushtetuese, nëse brenda 60 ditësh pas konstituimit të Kuvendit nuk zgjidhet kreu i shtetit, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme. Egzona Mema
