Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2”, duke i dënuar ata me gjithsej 32 vjet burgim për vepra që lidhen me krimin e organizuar, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shpëlarjen e parave.
Vendimi është mirëpritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila e ka cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim, Dukagjin Emërllahi me 8 vjet, Avni Maxhuni me 8 vjet dhe Nexharije Hoti me 6 vjet burgim.
Pas shpalljes së vendimit, Prokuroria Speciale përmes një komunikate tha se e mirëpret aktgjykimin fajësues ndaj katër të akuzuarve, transmeton KosovaPress. “Ky vendim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme institucionale për luftimin e krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Në rastin “Toka 2”, ish-gjyqtarja komunale në Prishtinë, Nexharije Hoti, akuzohej për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërkaq, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahi akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, ndërsa Avni Maxhuni, së bashku me Emërllahin dhe Prishtinën, akuzohej edhe për shpëlarje të parave.
