Alajbegoviç, çfarë roli do të ketë te Juventusi i Spaletit

0%

Juventusi është ndër klubet më aktive në orët e fundit të merkatos. Fillimisht bardhezinjtë arritën marrëveshjen me Paris Sen Zhermenin për rikthimin e Randal Kolo Muanit dhe më pas mbyllën akordin me Bajer Leverkusenin për transferimin në Torino të Kerim Alajbegoviçit. Talenti boshnjak i lindur në vitin 2007 konsiderohet një nga lojtarët e rinj më të spikatur në nivelin botëror.

Një futbollist i cili shihet si një emër i destinuar për të bërë gjëra të mëdha në të ardhmen. POR SI DHE KU MUND TË LUAJË ALAJBEGOVIÇI TE JUVENTUSI? Për sa i përket rolit të tij, Alajbegoviçi është një anësor ofensiv, i cili luan kryesisht në krahun e majtë.

I aftë me të dyja këmbët, lojtari i lindur në Këln pëlqen të spostohet drejt qendrës duke përdorur këmbën e djathtë, për të hyrë në zonën e goditjes dhe për të kërkuar përfundimin e aksioneve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Harta e tij e fundit e nxehtësisë, e lidhur me paraqitjet në Botërorin e zhvilluar me Bosnjë-Hercegovinën në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, e shpjegon dhe e konfirmon qartë këtë prirje të lojtarit. Nëse Luçiano Spaleti vendos ta përdorë në atë pozicion, atëherë Alajbegoviçi do të shndërrohej në zëvendësuesin direkt të Kenan Jildizit.

Futbollisti turk, i cili mban numrin 10 të Juventusit, aktivizohet pikërisht në atë zonë të fushës dhe është një nga pikat kryesore të projektit ofensiv të skuadrës. Megjithatë, duke parë sezonin e fundit të Alajbegoviçit në huazim te Salcburgu, kuptohet se talenti boshnjak ka një profil shumë më të gjerë.

Fillimisht nën drejtimin e Letshit dhe më pas të Bejçlerit, ai është përdorur si anësor ofensiv i majtë, por edhe si anësor ofensiv i djathtë. Edhe pse pjesën më të madhe të ndeshjeve e ka zhvilluar në krahun e majtë, ku ka luajtur 21 takime, ai ka qenë gjithashtu një alternativë në krahun e djathtë, me 7 paraqitje në atë pozicion.

Pikërisht kjo e bën atë një futbollist shumë të vlefshëm për një trajner si Spaleti, i cili kërkon lojtarë të aftë për të ndryshuar pozicion dhe për t’u përshtatur me skema të ndryshme. Pavarësisht moshës së re, Alajbegoviçi ka treguar aftësi për të luajtur në disa role të repartit të avancuar.

Ai mund të aktivizohet si anësor i majtë, si trekuartist pas sulmuesit, por edhe si anësor i djathtë. Duke marrë parasysh situatën aktuale në skuadër, ku Boga shihet si zëvendësuesi i Jildizit dhe Mekkeni është përdorur si trekuartist, Alajbegoviçi mund të hyjë në garë për një vend me Fransisko Konseisaon.

Portugezi deri tani ka pasur si rival kryesor në krahun e djathtë Edon Zhegrovan, i cili ka pasur probleme të shumta fizike dhe nuk ka qenë gjithmonë i disponueshëm për skuadrën. Megjithatë, ideja taktike më interesante dhe më emocionuese për tifozët e Juventusit është ajo që i sheh të tre së bashku në fushë, Kenan Jildizin, Kerim Alajbegoviçin dhe Fransisko Konseisaon.

Një konfigurim i mundshëm do të ishte Alajbegoviçi në krahun e majtë, Jildizi në rolin e trekuartistit pas sulmuesit dhe Konseisao në krahun e djathtë. Një treshe me shumë teknikë, shpejtësi dhe kreativitet, e cila do t’i ofronte Juventusit të Spaletit më shumë zgjidhje në fazën sulmuese.

Alajbegoviçi vjen në Torino si një investim për të ardhmen, por profili i tij tregon se ai mund të jetë një lojtar i gatshëm për të dhënë kontribut edhe menjëherë. aftësia për të luajtur në disa role mund ta bëjë një element shumë të rëndësishëm në projektin e ri të Juventusit.

Burimi: Bota Sot