Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës në zonën e Korminjanit, ku janë sekuestruar dy automjete dhe mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës. Rasti ka ndodhur më , gjatë zbatimit të një plani taktik-operacional në rrugët malore të fshatit Korminjan.
Gjatë kontrolleve, zyrtarët policorë kanë identifikuar dy automjete që dyshohet se kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.
“Më datën , në kuadër të zbatimit të një plani taktik operacional në rrugët malore të fshatit Korminjan, janë identifikuar dy automjete që kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.
Gjatë kontrollit të automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në Republikën e Kosovës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se mallrat nuk janë të pajisura me dokumentacion mbi prejardhjen apo procedurat doganore, ndërsa sipas mbishkrimeve ishin prodhim i Serbisë.
Me autorizim të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme të vlerësimit dhe ruajtjes. Lidhur me rastin janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësia kompetente e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonën kufitare, me qëllim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
