Asnjë incident, rezistencë apo problem nuk është shënuar gjatë aksionit të sotëm për rrënimin e hotelit “Jezero” pranë Liqenit të Ujmanit. Kështu tha për KALLXO.com shefi i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi.
“Gjatë asistimit tonë që i kemi bërë Ibër- Lepencit dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në aksionin që ata kanë ndërmarrë nuk kemi hasur ndonjë rezistencë, nuk kemi pasur ndonjë problem ose ndonjë kundështim diçka”- deklaroi Baliqi. Ai tha se Policia do të vazhdojë të asistojë në rrënimin e objekteve, të cilat sipas MMPHI-së janë ndërtuar pa leje.
“Sot, është rrënuar një objekt me sa e di unë një restoran apo hotel. Para disa ditëve kanë qenë dhjetë shtëpi dhe një ditë kanë qenë gjashtë”- theksoi më tej Baliqi.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se edhe sot, e enjte, më , ka vazhduar aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike përreth Liqenit të Ujmanit, duke bërë të ditur se deri më tani janë rrënuar 17 objekte. “Përreth Liqenit të Ujmanit deri tash janë rrënuar 17 objekte/villa.
Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit” – ka shkruar Pacolli. Sipas ministres Pacolli, aksioni në Ujman po zhvillohet për të rikthyer nën administrimin e Ibër-Lepencit pronat publike të uzurpuara në pjesën veriore të Kosovës.
