Në Europë ku ka më shumë burra se gra, si renditet Shqipëria

0%

Nëse stereotipi europian thotë se femrat janë më të shumta se meshkujt, Shqipëria është ndër vendet ku ky fenomen ndihet më pak. Sipas të dhënave të Eurostat të vitit 2025, në Shqipëri kishte 102.2 gra për çdo 100 burra, një raport pothuajse identik me Irlandën dhe më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 104.2 grash për 100 burra.

Kjo e rendit vendin ndër shtetet europiane me balancën më të afërt mes gjinive. Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut (101.9) ka një raport pak më të ulët. Kosova regjistron 103.8 gra për 100 burra 8sipas të dhënave të vitit 2022), Mali i Zi 103.3, Serbia 105.6 dhe Kroacia 104.8. Në nivel europian, tabloja është krejt tjetër.

Bashkimi Europian numëron mesatarisht 104.2 gra për 100 burra, që do të thotë se femrat janë rreth 4.2% më të shumta se meshkujt. Kampionet absolute të këtij raporti janë vendet baltike. Letonia kryeson me 115.6 gra për 100 burra, e ndjekur nga Estonia me 110.8 dhe Lituania me 110.4.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në praktikë, kjo do të thotë se në Letoni ka gati 16% më shumë gra sesa burra, një diferencë më shumë se trefishi i mesatares europiane. Arsyeja nuk lidhet me lindjet, pasi në të gjithë botën lindin pak më shumë djem sesa vajza. Shpjegimi gjendet te jetëgjatësia dhe struktura e popullsisë.

Sipas Eurostat, gratë jetojnë më gjatë se burrat në të gjitha vendet e BE-së, por hendeku është veçanërisht i madh në shtetet baltike. Në Letoni, gratë jetojnë mesatarisht rreth 10 vjet më shumë se burrat, ndërsa në Lituani diferenca arrin 9 vjet dhe në Estoni afro 8.8 vjet. Kjo do të thotë se në grupmoshat e vjetra numri i grave rritet ndjeshëm krahasuar me meshkujt.

Fenomeni është përforcuar edhe nga emigracioni i dekadave të fundit dhe nga normat më të larta të vdekshmërisë së meshkujve në këto vende. Ku ka më shumë burra se gra Në Europë, vendet ku burrat janë më të shumtë se gratë janë të pakta. Nga 41 shtete, që raporton Eurostat, vetëm në 6 prej tyre ka më shumë burra sesa gra.

Nga vendet e përfshira në renditje, raport më të ulët se 100 gra për 100 burra kanë Malta, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Suedia dhe Luksemburgu. Turqia është pothuajse në ekuilibër, me 99.9 gra për 100 burra. Malta ka diferencën më të madhe, me vetëm 88.3 gra për 100 burra. Më pas renditen Islanda me 95, Norvegjia me 98.4, Sllovenia me 98.7, Suedia me 98.8 dhe Luksemburgu me 98.9.

Këto raste janë të pakta, sepse në shumicën e vendeve europiane gratë jetojnë më gjatë se burrat. Edhe pse në lindje zakonisht ka pak më shumë djem se vajza, me kalimin e moshës vdekshmëria më e lartë e burrave bën që gratë të bëhen më të shumta, sidomos në grupmoshat e vjetra.

Në vendet ku burrat janë më të shumtë, arsyeja lidhet zakonisht me strukturën më të re të popullsisë dhe me migracionin për punë, që në disa ekonomi tërheq më shumë meshkuj./Monitor

Burimi: Bota Sot