Ka plagë që koha i shëron dhe ka mall që koha vetëm sa e thellon. Malli për Shqipërinë është njëri prej tyre. Shqipëria, nuk lindi kur e pashë për herë të parë, por shumë vite më parë, kur isha ende fëmijë, në bankat e shkollës, në Kosovën tonë të robëruar. Çdo mëngjes hynim në klasë me çantat mbi supe dhe me ëndrra të pafajshme në zemër.
Mësuesi na ngrinte në këmbë dhe ne, me zërat tanë fëmijërorë, këndonim: “Mori Shkodër moj mizore, sa e vogël por shumë na dole…”. Nuk e kishim parë Shkodrën. Nuk dinim si dukeshin rrugët e saj, liqeni i saj apo kalaja madhështore. Megjithatë, e donim sikur të ishte lagjja jonë. Ishte qyteti ynë, pjesë e zemrës sonë, edhe pse kufiri na ndante prej tij.
Pastaj vinte kënga “Elbasani i bukur Elbasan”. Mbyllja sytë dhe imagjinoja një qytet plot dritë, njerëz të buzëqeshur dhe rrugë ku flitej shqip pa frikë. Nuk e dija nëse ishte ashtu, por zemra ime e kishte krijuar një Shqipëri të bukur, të lirë dhe të shenjtë. Ato këngë nuk mbeteshin vetëm në shkollë. Na ndiqnin në shtëpi, në oborr, në rrugë.
I këndonin nënat duke punuar, baballarët me një zë të ulët e të mbushur me mall, ndërsa pleqtë heshtnin për një çast dhe shikonin larg, sikur përtej maleve të shihnin Shqipërinë. Sot e kuptoj se në sytë e tyre nuk kishte vetëm mall, kishte dhembje, krenari dhe një shpresë që nuk ishte shuar kurrë. Ne ishim rritur duke dëgjuar se Shqipëria ishte nëna jonë.
Por ishte një nënë që nuk mund ta përqafonim. Kufiri ishte i fortë, rrugët ishin të mbyllura dhe ëndrrat mbeteshin peng. Për ne, Shqipëria ishte si një yll që e shihnim çdo natë në qiell, na ndriçonte, por nuk mund ta preknim. Sa herë që dikush arrinte të shkonte në Shqipëri dhe kthehej, ne e dëgjonim me kureshtje. Çdo fjalë e tij ishte si një thesar.
Na tregonte për Shkodrën, Tiranën, Elbasanin, Durrësin, Vlorën. Ne nuk dëgjonim vetëm emra qytetesh, dëgjonim copëza të ëndrrës sonë. Vitet kaluan, erdhën kohë të vështira, luftëra, lot e sakrifica. Shumë bij të Kosovës ranë me emrin e Shqipërisë dhe të lirisë në zemër. Ata besuan se një popull nuk mund të ndahej nga kufijtë e vendosur nga të tjerët.
Ata besuan se gjuha, gjaku dhe historia janë më të forta se çdo mur. Kur e vizitova Shqipërinë për herë të parë, nuk ndjeva se po hyja në një vend të huaj. m’u duk sikur po kthehesha në shtëpi pas një mungese të gjatë. Malet më përshëndetën si të më njihnin prej kohësh, rrugët më dukeshin të njohura dhe njerëzit flisnin me të njëjtën gjuhë që kisha ruajtur si pasurinë më të madhe.
Atë ditë kuptova se dashuria e mbjellë nga këngët e fëmijërisë nuk kishte qenë një ëndërr boshe, ajo ishte bërë pjesë e qenies sime. Edhe sot, kur dëgjoj tingujt e këngëve të fëmijërisë, zemra më dridhet. Nuk jam më ai fëmijë në bankat e shkollës, por emocioni është po ai.
Çdo varg më rikthen te mësuesit tanë, te shokët e klasës, te prindërit dhe gjyshërit që jetuan me shpresën se një ditë kufijtë do të hapeshin. Brezi ynë nuk e deshi Shqipërinë për bukuritë e saj, as për detin apo malet. Ne e deshëm sepse ishte pjesë e shpirtit tonë. E deshëm pa e parë, e ëndërruam pa e prekur dhe e mbrojtëm pa kërkuar asgjë në këmbim.
Prandaj, sa herë që dëgjoj: “Mori Shkodër moj mizore…”, nuk dëgjoj vetëm një këngë. Dëgjoj zërin e një brezi të tërë shqiptarësh të Kosovës, që jetuan me mallin për Shqipërinë në zemër dhe me shpresën për liri në sy. Ky mall nuk do të shuhet kurrë. Ky mall do të jetojë sa të jetojë kujtesa jonë, sepse ka dashuri që nuk i zbeh koha. Përkundrazi, vitet vetëm sa e bëjnë më të shenjtë.
