Shkolla të shumta në tri shtete amerikane pritet të pajisen me dronë të posaçëm, të aftë të ndjekin dhe neutralizojnë përkohësisht persona të armatosur gjatë incidenteve me të shtëna. Sistemi, i quajtur “Campus Guardian Angels”, është zhvilluar nga kompania Mithril Defense.
Sipas prodhuesit, dronët mund të lëvizin me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë dhe të arrijnë te një sulmues brenda rreth 15 sekondave. Ata mund të përdorin sprej piperi, sirena të fuqishme dhe drita vezulluese për ta çorientuar personin e armatosur. Në situata të caktuara, dronët mund edhe të përplasen me të për ta penguar.
“Sapo dronët të kapin, është pothuajse e pamundur t’u shpëtosh”, ka deklaruar bashkëthemeluesi i kompanisë, Bill King, ish-pjesëtar i forcave speciale amerikane Navy SEAL. Florida ka ndarë mbi 557 mijë dollarë për një projekt pilot në tri shkolla të mesme, ndërsa Xhorxhia ka miratuar rreth 500 mijë dollarë për testimin e sistemit në pesë shkolla publike.
Një shkollë në Kolorado ka vendosur ta financojë vetë përdorimin e dronëve. Sistemi nuk funksionon në mënyrë autonome. Dronët kontrollohen nga operatorë njerëzorë të vendosur në selinë e kompanisë në Austin të Teksasit. Në secilën shkollë pritet të vendosen nga 30 deri në 90 dronë, të shpërndarë në kuti ruajtjeje, në mënyrë që të reagojnë sa më shpejt në rast emergjence.
Kompania pretendon se dronët mund t’i ndihmojnë edhe forcat e rendit duke lokalizuar sulmuesin dhe duke transmetuar informacione në kohë reale. Megjithatë, ekspertët kanë ngritur shqetësime lidhur me rrezikun e identifikimit të gabuar të personave, reagimin e operatorëve në situata kaotike dhe mundësinë që persona të pafajshëm të vihen në rrezik.
“Është sikur lojërat elektronike dhe siguria në shkolla të përplasen. Kam rezerva shumë serioze për vendosjen e dronëve në shkolla”, ka deklaruar Curtis Lavarello, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Avokimit për Sigurinë në Shkolla. Kritikat janë shtuar edhe për shkak të problemeve të mëparshme me sistemet e sigurisë të bazuara në inteligjencë artificiale.
Në një rast, një sistem kishte ngatërruar një qese me çipsa me armë, ndërsa në një tjetër nuk kishte arritur ta zbulonte pistoletën e përdorur në një sulm në shkollë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
