Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar në favor të bojkotimit të Kupës së Botës, në shenjë proteste ndaj planit të FIFA-s për të shitur aksione të turneut tek investitorë privatë.
Sipas raportimeve, vendimi u mor gjatë një mbledhjeje virtuale të zhvilluar të enjten, ku federatat evropiane diskutuan propozimin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për krijimin e një kompanie të veçantë që do të menaxhonte Kupën e Botës dhe do të mundësonte shitjen e pjesëve të saj tek investitorë privatë.
Burimet bëjnë të ditur se qëndrimi i UEFA-s është i qartë: bojkoti do të mbetet në fuqi për aq kohë sa propozimi për krijimin e kësaj kompanie dhe privatizimin e Botërorit të jetë ende në tryezë.
Nëse ky qëndrim mbetet i pandryshuar, futbolli botëror mund të përballet me një përplasje të paprecedentë mes UEFA-s dhe FIFA-s, pasi mungesa e të gjitha kombëtareve evropiane do të dëmtonte rëndë vlerën sportive dhe komerciale të Kupës së Botës.
