Inspektorati Qendror i Punës ka mbyllur dy kantiere ndërtimi në Podujevë dhe Shtime, pasi gjatë kontrolleve ka evidentuar shkelje të rënda të kushteve të punës dhe sigurisë për punëtorët. Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, inspektimet janë kryer pas disa raportimeve, ku janë gjetur parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e punëtorëve.
Për shkak të mungesës së masave të nevojshme mbrojtëse, është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në dy kantiere, deri në eliminimin e plotë të mangësive të konstatuara.
Ndërkohë, në një rast tjetër në Ferizaj, Inspektorati Qendror i Punës ka dërguar rastin në Policinë e Kosovës, pasi një punëdhënës dyshohet se ka dëmtuar shiritin ndalues dhe ka vazhduar punimet, pavarësisht urdhrit për ndalim.
Inspektorati ka apeluar te punëdhënësit që të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të krijojnë kushte të sigurta pune, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
