Nga: Blerim Vela Shpërndaje në: Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, njoftoi këtë javë se Departamenti i Luftës i Shteteve të Bashkuara ka nisur rishikimin e përgjithshëm të pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Ky zhvillim ka ngjallur interes në Bruksel, Londër, Paris, Varshavë dhe Kiev, por ai ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën.
Në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më multipolar, ku lufta në Ukrainë, rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë rritur pasigurinë në Ballkan, Kosova nuk mund ta trajtojë këtë proces si një çështje dytësore. Përkundrazi, ai prek drejtpërdrejt arkitekturën e saj të sigurisë. Nga këndvështrimi amerikan, Kosova nuk është vetëm pjesë e paqes në Ballkan.
Ajo mund të shihet si një nyje operative në krahun jugor të NATO-s, me ndikim në stabilitetin e rajonit dhe korridoreve logjistike drejt Mesdheut Lindor. Prandaj, rishikimi i pranisë ushtarake amerikane mund të ketë pasoja për KFOR-in, Kampin Bondsteel dhe strukturën komanduese të NATO-s në Napoli. Pyetja thelbësore është se çfarë nënkupton ky proces për sigurinë e Kosovës?
NATO 3.0 dhe sfida e tranzicionit Qëllimi i rishikimit është i qartë: përshtatja e Aleancës me konceptin e ashtuquajtur “NATO 3.0”, ku vendet evropiane marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit evropian, ndërsa Shtetet e Bashkuara përqendrohen gjithnjë e më shumë te mbrojtja kontinentale, konkurrenca strategjike me Kinën dhe rajoni Indo-Paqësor.
Në praktikë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht tërheqje të plotë amerikane nga Evropa, por një rishpërndarje të burimeve ushtarake sipas prioriteteve të reja globale të SHBA-së. Pikërisht këtu qëndron sfida për Kosovën.
Edhe Opinion 26 dhj 2025 Kosova dhe siguria evropiane: Koha që Evropa ta lexojë realitetin Ky transformim mund të ndikojë në tri dimensione: praninë amerikane brenda KFOR-it, mënyrën se si Komanda e NATO-s në Napoli e integron Kosovën në planifikimin operacional dhe mundësinë që Kosova të kalojë nga një konsumatore sigurie në një partnere që kontribuon aktivisht në arkitekturën rajonale të sigurisë dhe më gjerë.
Nga garancia amerikane te “hendeku i tranzicionit” Që nga 12 qershori 1999, prania amerikane në Kosovë ka qenë shumë më tepër sesa pjesë e një force shumëkombëshe si KFOR-i. Për qytetarët e Kosovës, ajo ka përfaqësuar garancinë më të besueshme të sigurisë dhe parandalimit ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim të vendit nga ana e Serbisë dhe akterëve të tjerë malinjë.
Me administratën e dytë të presidentit Trump, rishikimi përfshinë të gjithë praninë ushtarake amerikane në Evropë: trupat në Gjermani dhe Poloni, bazat në Itali e Greqi, asetet ajrore dhe detare, zinxhirët logjistikë dhe strukturat komanduese. Për rrjedhojë, as komponenti amerikan i KFOR-it dhe as Komanda e NATO-s në Napoli nuk pritet të mbesin jashtë këtij procesi.
Argumenti amerikan është i drejtpërdrejtë: Evropa është duke rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe duhet të marrë një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë në kontinentin evropian. Megjithatë, ekziston rreziku që reduktimi i pranisë ushtarake amerikane të ecë më shpejt sesa ndërtimi i kapaciteteve evropiane.
Ky është i ashtuquajturi “hendek i tranzicionit”, periudha kur Shtetet e Bashkuara mund të reduktojnë praninë e tyre, ndërsa aleatët evropianë ende nuk kanë kapacitetet për të garantuar të njëjtin nivel parandalimi strategjik. Për Kosovën, ky skenar do të ishte veçanërisht i ndjeshëm.
Një reduktim i nxituar i pranisë amerikane në Kosovë dhe Bosnjë mund të rihapte diskutime që konsideroheshin të mbyllura: aftësinë e KFOR-it për të garantuar sigurinë, rolin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në përballimin e krizave, si dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur provokimeve në veri të vendit.
Nëse NATO 3.0 ndërtohet pa adresuar këtë periudhë tranzicioni, Aleanca rrezikon të mos jetë më as modeli tradicional i garancive amerikane, as modeli i ri i përgjegjësisë evropiane, por një strukturë me kapacitete të pjesshme dhe fuqi më të kufizuar parandaluese. Edhe struktura komanduese ka rëndësi.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), si edhe komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFC Naples), janë tradicionalisht gjeneralë e admiralë amerikanë. Çdo ndryshim në këtë konfigurim do të kishte ndikim politik dhe ushtarak, sepse perceptimi i një vakumi apo i një angazhimi më të dobët amerikan mund të inkurajojë aktorë destabilizues.
Reagimi i NATO-s dhe Shtëpisë së Bardhë pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator 2023 tregoi qartë se vendosmëria amerikane mbetet elementi më i fuqishëm parandalues në rajon ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë. KFOR-i, Napoli dhe dialogu strategjik që i nevojitet Kosovës Në debatin publik në Kosovë, KFOR-i shpesh trajtohet si një prani e pandryshueshme.
Në realitet, ai është një mision i NATO-s me mandat të qartë: garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët. Brenda mekanizmit të reagimit, KFOR-i vepron si “reaguesi i tretë”, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Në arkitekturën e re të sigurisë evropiane, KFOR-i nuk duhet parë si një mision relikt nga vitet 1990, por si pjesë e sistemit të parandalimit të krizave në krahun juglindor të NATO-s, ku edhe incidente të kufizuara mund të prodhojnë pasoja rajonale. Po aq e rëndësishme është edhe Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFC Naples), e cila drejton KFOR-in.
Ajo nuk administron vetëm rotacionet e trupave, por përcakton konceptet operacionale, gatishmërinë, rregullat e angazhimit dhe mënyrën e reagimit ndaj incidenteve në terren. Megjithatë, kjo strukturë rrallë përmendet në debatin publik në Kosovë.
Diskutimet përqendrohen te Uashingtoni ose Brukseli, ndërsa i kushtohet pak vëmendje komandës që drejton praktikisht operacionet e NATO-s në Kosovë.
Në një kohë kur SHBA-ja po rishikon praninë e tyre ushtarake në Evropë, institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë një dialog shumë më sistematik jo vetëm me Uashingtonin dhe Brukselin, por edhe me JFC Naples dhe me Misionin Amerikan pranë NATO-s.
Objektivi nuk duhet të jetë vetëm ruajtja e nivelit aktual të pranisë amerikane, por argumentimi se Kosova përbën një element kyç të stabilitetit në të gjithë krahun jugor të Aleancës. Çdo ndryshim në strukturën ose përbërjen e KFOR-it mund të interpretohet si sinjal nga Beogradi, Moska dhe aktorë të tjerë rajonalë si ndryshim të garancive amerikane të sigurisë për Kosovën e rajonin.
Prandaj, pyetja që Kosova duhet t’i shtrojë vetes nuk është vetëm nëse prania amerikane do të mbetet, por nëse ajo do të arrijë të formulojë argument strategjik bindës për rolin e saj në arkitekturën e NATO 3.0.
Aeroporti i Gjakovës dhe Babaj i Bokës si asete strategjike Nëse rishikimi amerikan i pranisë ushtarake në Evropë do të shoqërohet me ripozicionim të trupave dhe kapaciteteve, Kosova ka mundësinë të mos jetë thjesht objekt i këtyre ndryshimeve, por pjesë e zgjidhjes. Dy elemente e mbështesin këtë argument: Aeroporti i Gjakovës dhe poligoni ushtarak në Babaj të Bokës.
Aeroporti i Gjakovës, tashmë në pronësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, po zhvillohet për nevojat e mbrojtjes, ndërsa Babaj i Bokës po shndërrohet në një qendër moderne stërvitore sipas standardeve të NATO-s, me mbështetje amerikane. Përdorimi i të dyja lokacioneve gjatë ushtrimit “Defender Europe” dëshmoi se ato kanë vlerë praktike për planifikimin operacional të SHBA-së dhe Aleancës.
Pozicioni gjeografik i Kosovës, lidhja me korridoret rrugore rajonale dhe afërsia me portet shqiptare në Adriatik krijojnë kushte që Gjakova të shërbejë jo vetëm si bazë stërvitore, por edhe si platformë logjistike për operacione në Ballkan, Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Edhe Opinion 18 qer 2026 Basti i humbur zgjedhor i opozitës Në logjikën e NATO 3.0 dhe pranisë ushtarake amerikane në Evropë, kjo do ta poziciononte Kosovën si një vend që kontribuon në gatishmërinë e Aleancës. Një ofertë e tillë nuk zëvendëson KFOR-in, por i jep Uashingtonit një arsye të re strategjike për ta ruajtur dhe zhvilluar praninë e tij në Kosovë.
Për këtë arsye, zhvillimi i Gjakovës dhe Babajt të Bokës duhet të jetë pjesë e dialogut të drejtpërdrejtë me Pentagonin, Komandën Evropiane të SHBA-së dhe JFC Napolin. Thellimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara Kosova tashmë ka hedhur disa hapa të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit në mbrojtje me SHBA-në.
Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje krijon bazën për planifikim të përbashkët, zhvillim kapacitetesh dhe rritje të ndërveprueshmërisë. Megjithatë, vlera e saj do të matet nga zbatimi praktik. Nëse përkthehet në investime konkrete në infrastrukturë, stërvitje dhe modernizim të FSK-së, ajo mund të bëhet një nga argumentet më të forta për ruajtjen e angazhimit amerikan.
Po aq e rëndësishme është edhe Marrëveshja për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), e cila e vendos Kosovën në grupin e partnerëve që mund të përdorin sisteme të sigurta komunikimi dhe teknologji të avancuara amerikane. Kjo rrit besueshmërinë e Kosovës si partner ushtarak dhe e bën më të lehtë integrimin e saj në operacione dhe stërvitje të përbashkëta.
Ndërkohë, përmbyllja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s, përmes investimeve, pajisjeve dhe trajnimeve amerikane, përforcon narrativën se Kosova nuk synon vetëm të marrë siguri, por edhe të kontribuojë në të. Kjo dëshmohet edhe me pjesëmarrjen e FSK-së në operacionet e Forcës së Stabilizimit në Gaza.
Megjithatë, potenciali nuk duhet të kufizohet vetëm te marrëveshjet ekzistuese. Deri në anëtarësimin në NATO, Kosova mund të eksplorojë forma të tjera partneriteti bilateral me SHBA-në: zgjerimin e programeve të edukimit ushtarak, marrëveshje të avancuara për bashkëpunim në mbrojtje, projekte të përbashkëta kërkimore dhe mekanizma logjistikë që e afrojnë më tej me standardet e Aleancës.
Konkretisht, Kosova mund të synojë që deri në anëtarësimin në NATO të ndërtojë profil për një status të afërt me “aleat i rëndësishëm jo-anëtar i NATO-s (major non‑NATO ally)”, të negociojë një marrëveshje të posaçme të tipit “bashkëpunim i zgjeruar në mbrojtje (enhanced defence cooperation)” për bazimin e aseteve amerikane në territorin e Kosovës, të zgjerojë programet e edukimit ushtarak (IMET, kolegje të stafit, stërvitje të përbashkëta vjetore), si dhe të krijojë bazë ligjore për marrëveshje logjistike dhe projekte të përbashkëta kërkim‑zhvillimi në fushën e mbrojtjes.
Modele të tilla, si marrëveshjet e zgjeruara të SHBA-së me Poloninë për bazimin e divizionit amerikan, programet e intensifikuara të trajnimit me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, apo marrëveshjet për qasje në baza me Tajlandën dhe Filipinet tregon se partneritetet e strukturuara me SHBA-në mund ta rrisin ndjeshëm rëndësinë strategjike të një shteti edhe para anëtarësimit formal në NATO.
Kosova duhet ta shohë këtë si një model për forcimin e pozitës së saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Çfarë duhet të bëjë Kosova? Procesi i rishikimit amerikan nuk do të përfundojë brenda natës. Pikërisht kjo krijon një dritare veprimi për institucionet e Kosovës. Nëse ajo nuk shfrytëzohet, vendimet do të merren pa pjesëmarrjen e Kosovës.
Prioriteti i parë duhet të jetë një ofensivë diplomatike e koordinuar me Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Luftës, Kongresin amerikan dhe strukturat e NATO-s. Mesazhi duhet të jetë i qartë: prania amerikane në Kosovë nuk është trashëgimi e vitit 1999, por një investim strategjik për stabilitetin e Ballkanit dhe të gjithë krahut jugor të Aleancës.
Në të njëjtën kohë, Marrëveshja Kornizë në Mbrojtje duhet të shndërrohet në një plan konkret veprimi. Institucionet duhet të paraqesin projekte të detajuara për zhvillimin e Aeroportit të Gjakovës, Babajt të Bokës, infrastrukturës ushtarake, programeve të përbashkëta të stërvitjes dhe investimeve amerikane në kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes duhet të udhëheqë këtë proces duke përshpejtuar funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës sipas standardeve të NATO-s, duke përfunduar projektet infrastrukturore me partnerët amerikanë dhe duke zgjeruar stërvitjet e përbashkëta me forcat amerikane.
Paralelisht, diplomacia kosovare duhet të intensifikojë komunikimin me Uashingtonin, Brukselin, strukturat komanduese të NATO-s dhe JFC Napolin. Diskutimi nuk duhet të fokusohet vetëm te ruajtja e numrit të trupave të KFOR-it, por te mënyrat se si prania amerikane mund të përshtatet me nevojat e reja strategjike të Aleancës, duke mbetur një element i dukshëm i parandalimit në rajon.
Rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë nuk duhet parë vetëm si burim pasigurie. Për Kosovën, ai përfaqëson edhe një mundësi për të ripërcaktuar rolin e saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Nëse institucionet e Kosovës arrijnë ta artikulojnë qartë vlerën strategjike të vendit, të ofrojnë projekte konkrete bashkëpunimi dhe të pozicionojnë Gjakovën, Babajn e Bokës dhe FSK-në si pjesë të kapaciteteve të NATO-s, Kosova mund të kalojë nga statusi i përfituesit të sigurisë në atë të një partneri që kontribuon në të.
Në të kundërt, ekziston rreziku që vendimet për të ardhmen e pranisë amerikane të udhëhiqen kryesisht nga konsideratat buxhetore dhe logjistike, pa marrë parasysh realitetin e sigurisë në Ballkan. Historia e rajonit ka treguar se vakumet strategjike rrallë mbeten bosh. Ato shfrytëzohen nga aktorë që synojnë destabilizimin dhe sfidimin e rendit të krijuar dhe arritjeve pas vitit 1999.
Edhe Opinion 19 mar 2026 Ngjarjet e marsit 2004 dhe projekti serb për ndarjen e Kosovës Pikërisht për këtë arsye, sfida për Kosovën nuk është vetëm të ruajë praninë amerikane, por të dëshmojë se ajo mbetet një partner i domosdoshëm në strategjinë e re të SHBA-së dhe NATO-s për Evropën.
Kjo kërkon diplomaci aktive, investime në kapacitete dhe një vizion të qartë për vendin e Kosovës në NATO 3.0. Blerim Vela është bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor i UTSYN – Qendra për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo dhe ka doktoratë në Studimet Bashkëkohore Evropiane nga Universiteti i Sussex-it.
Me herët ka shërbyer si shef i stafit të presidentes së Kosovës dhe ishte anëtar i Këshillit të Sigurisë së Kosovës (2021-2023).
