Shpërndaje në: Ministri në detyrë për Punë, Andin Hoti, ka njoftuar se ka marrë vendim që nga 1 shtatori, inspektimi nga ana e Inspektoratit Qendror të Punës do të kalojë në mënyrë plotësisht digjitale dhe njëkohësisht do të fillojë edhe përdorimi i teknologjikë së dronëve.
Sipas Hotit mbikëqyrja me dronë do të mundësojë inspektimin e kantiereve dhe vendeve me rrezikshmëri të lartë në punë. “Me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, kam marrë vendim që, nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës të kalojë në inspektime plotësisht digjitale.
Kjo do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren.
Njëkohësisht, do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve, si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Hoti përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook.
