Një ndjekje që i ngjante skenave të filmave aksion u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në Shtime, ku një i ri tentoi me çdo kusht t’i shpëtonte Policisë, por përfundoi i arrestuar pas një ndjekjeje në këmbë. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Ahmet Sinanin (21-vjeç). Burimet bëjnë me dije se gjithçka nisi pasi ai nuk u dha përparësi këmbësorëve në vendkalim.
Kur policët i dhanë shenjë të ndalonte, ai shtypi gazin, rriti shpejtësinë dhe vazhdoi arratisjen, duke kryer edhe tejkalime të rrezikshme mbi trotuar. Policia e ndoqi deri në rrugën “12 Qershori”, ku i riu e kuptoi se kishte hyrë në një rrugë pa dalje.
Ai braktisi veturën dhe vazhdoi arratisjen në këmbë, por u ndoq nga një hetues policor, i cili arriti ta neutralizojë dhe ta arrestojë pas pak çastesh. Surpriza erdhi në Stacionin Policor.
Verifikimet zbuluan se Ahmet Sinani ishte person në kërkim me urdhër-arrest aktiv, pasi ishte arratisur nga institucioni korrektues ku po vuante dënimin dhe, sipas Policisë, kishte qëndruar në Itali për rreth tri vjet. Gjatë tentativës për t’u larguar ai bëri rezistencë aktive dhe pësoi lëndime të lehta, për çka mori trajtim mjekësor në QKMF-në e Shtimes.
Me vendim të prokurorit kompetent, ai është dërguar në ndalim, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat ligjore. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
