Një grua nga Kaçaniku ka vendosur t’i japë fund heshtjes pas më shumë se dy dekadash, duke denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike. Sinjali mëson se i dyshuari është I. L. (52-vjeç), ndërsa viktimë është bashkëshortja e tij, R. I. (45-vjeçe).
Sipas burimeve, gruaja është paraqitur mëngjesin e 29 korrikut në Stacionin Policor në Kaçanik, ku ka deklaruar se që nga martesa, para 24 vitesh, kishte qenë vazhdimisht viktimë e dhunës në familje, por për shkak të rrethanave nuk e kishte raportuar asnjëherë rastin.
Gjatë intervistimit, ajo ka rrëfyer se për vite me radhë kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike, derisa situata ishte bërë e padurueshme dhe kishte vendosur të kërkonte ndihmën e Policisë. Edhe bashkëshorti është intervistuar nga hetuesit dhe, sipas Policisë, ai ka pranuar se mes tyre kishte pasur mosmarrëveshje, duke pretenduar se dyshonte se bashkëshortja e tij po e tradhtonte.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa pas intervistimit Imri Leka është liruar në procedurë të rregullt. Pas raportimit të rastit, viktima është larguar nga shtëpia së bashku me katër fëmijët dhe është strehuar te familjarët e saj në fshatin Greme të Ferizajt.
Rasti i është referuar hetuesve të Stacionit Policor në Kaçanik për procedurat dhe veprimet e mëtejshme hetimore. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
